Drita dhe Ferizaj kanë zhvilluar ndeshjen e fundit të xhiros së katërt në kuadër të Albi Mall Superligës së Kosovës në Futboll. Në fakt kjo ishte ndeshja e parë për Dritën, e cila shkaku i ndeshjeve në Europa Conference League i kishte shtyrë tri ndeshjet e para.
Në një pjesëloja të parë pa shumë raste shënimi, Drita e ka mbizotëruar mbajtjen e topit, derisa Ferizaj është mbrojtur mirë. Mirëpo dy pakujdesi të Shabanit në minutën 34 dhe 35 e kanë lënë ekipin nga Ferizaj me një lojtar më pak në fushë. Ishin dy ndërhyrje të Shabanit, që e bënë atë të zverdhet dy herë dhe për t’u ndëshkuar më pas me të kuqin nga gjyqtari Mervan Bejtullahu.
Me gjithë përpjekjet e Dritës për të shënuar në pjesëlojën e parë një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat të barabartë 0:0.
Drita ka tentuar të shënojë në minutën 52 nëpërmjet Mustafës, por portieri i Ferizajt ka pritur topin që po shkonte drejt këndit të majtë të poshtëm. Ferizaj ka rrezikuar në minutën 59 nëpërmjet kapitenit Edon Sadriu, por ai për pak gjuajti jashtë portës. Në minutën 61 Ajzeraj harkoi për Dabiqajn që gjuajti me kokë, por poertieri Terziu me majën e gishtërinjëve e dëboi topin në fundore.
Ferizaj ka rezistuar deri në minutën 73, kur pas një harkimi të Besnik Krasniqit, topi arriti deri te Almir Ajzeraj, i cili gjuajti me të parën dhe qëlloi këndin e poshtëm të djathtë të Terziut. Goli është rishikuar në sistemin VAR dhe doli të jetë i rregullt. Almir Ajzeraj ka qenë pjesëmarrës edhe në golin e dytë që e ka shënuar Drita, por tashti në rolin e asistuesit, ngase pas një manovrimi të mirë që ka bërë në të majtë të fushës, ka harkuar në brendi ku më së larti me kokë është shkëputur Manaj, që me kokë ka futur topin mbi duart e portierit Terziu për rezultatin 2:0.
Në minutën e parë shtesë pas një sulmi të Ferizajt, Manaj preku topin me dorë në vijën e gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe gjyqtari dha penalti. Sadriu bukur ka shënuar nga dënimi më i rëndë dhe ka ngushtuar rezultatin në 2:1. Në aksionin vijues pas një goditje dënimi që dha Besnik Krasniqi, pas daljes jo të duhur të Terziut, Ilir Mustafa me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 3:1, rezultat me të cilin u mbyll ndeshja.