Në shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që kontribuan në bërjen e Dritës kampione, klubi gjilanas ka vendosur foton me akterët në autobusin e klubit.
Bardhekaltërit kanë nderuar edhe ish-lojtarët, të cilët tani nuk bartin më fanellën e Dritës. Mirëpo, në “foton kampione”, nuk ndodhet njeriu kryesor, trajneri Bekim Isufi, me të cilin u bënë kampion.
Gjilanasit kanë fshirë Isufin dhe në vend të tij kanë vënë vetëm ndihmësit, lojtarët, por edhe zyrtarët më të lartë të klubit!
Fotoja e vendosur në autobus, në të cilën janë edhe ish lojtarët, por jo edhe ish trajneri!
Fotoja është vendosur në autobus, pasi i njëjti ishte dëmtuar në muajin tetor nga tifozët e KEK-ut, gjatë udhëtimit të Dritës në Obiliq, për ta luajtur takimin me KEK-un.
Mbishkrimi i vënë nga tifozët e KEK-ut në autobusin e Dritës
Një foto-montazh me kampion ishte bërë gjatë verës, ku në qendër të vëmendjes është edhe Isufi, por e njëjta nuk është vendosur edhe në autobus.
I pyetur për largimin nga “fotoja kampione”, trajneri Bekim Isufi, ka thënë se nuk është në dijeni.
“Nuk e kam parë, por nëse kjo ka ndodhur, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, tha Isufi për Gazetën Olle.
Gazeta ka kontaktuar edhe me Fisnik Kërqelin, zyrtar i lartë i Dritës, i cili jep përgjigje diplomatike.
“Me të thënë të drejtën nuk kam asnjë info në lidhje me këtë”, thekson Kërqeli.
Fotoja e realizuar pas bërjes kampion
Olle ka siguruar foton e vënë në autobus, e cila i është dërguar edhe Kërqelit, por i njëjtë ka këmbëngulur se nuk është në dijeni!
Sidoqoftë, largimi i Isufit nga fotoja kampione, tregon se ndarja e tij në muajin shtator, me klubin të cilin në qershor e bëri kampion, nuk ishte aspak e mirë.