Kur gjyqtari holandez Sander Van Der Eijk dha shenjë për për përfundimin e ndeshjes Drita – Antwerp, në kampin belg të klubit mbretëror gëzimi ishte i madh. Kjo është dëshmi se sa të vështirë e pati kualifikimin ky klub me traditë në Evropë.
Drita edhe njëherë dëshmoi se është klub i madh dhe se loja e mirë me Feynoordin vitin e kaluar nuk ishte rastësi, por se ky klub tashmë ka përvojën e duhur dhe nga viti në vit do të bëjë lojë edhe më të mira, shkruan kryelajmi.com
Gazeta kryelajmi.com lexueseve të vet ua paraqet të gjitha ndeshjet e Dritës në Evropë.
Skuadra bardh e kaltër nga Gjilani, ndeshjen e parë në kuadër të grupit preliminar në Champions League e kishte zhvilluar më 26.06.2018 ndaj kampionit të Andorës, Santa Coloma, në Gjilbratar, ku koha e rregullt e ndeshjes kishte përfunduar me rezultat 0:0.
Në vazhdime golin e parë e parë e pati shënuar Xhevdet Shabani në minutën 99, kur me një gjuajtje nga largësia kishte qëlluar këndin e epërm të majtë të portës së ekipit kundërshtar. Në minutën 107 ishte akorduar penalti për Dritën, të cilën e pati realizuar Fidan Gërbeshi.
Edhe në ndeshjen e dytë, të zhvilluar në Gjilbratar, FC Drita pati fituar në vazhdime ndaj ekipit Lincoln Red Imps, me rezultat 4:1. Kjo ndeshje është zhvilluar më 29 qershor 2018. Drita pati shënuar shumë herët, që në minutën e dytë, kur pas harkimit nga Xh. Shabani nga gjuajtja nga këndi, Liridon Leci ka shënuar me kokë. Edhe ekipi gjilanas pësoi nga gjuajtja nga këndi, ku pas një harkimi nga këndi, Petro Corral nga afërsia pati shënuar me kokë.
Vazhdimet patën nisur keq për Dritën, ngase Fidan Gërbeshi ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe është larguar nga loja. Mirëpo, përkundër kësaj, në minutën e fundit të shtesës së parë, pas një kundërsulmi të shpejtë Bernardo Lopes, ndali topin me dorë që po futej në rrjetë, andaj gjyqtari shumë i mirë e ndëshkoi me karton të kuq dhe dha penalti për Dritën. I pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Liridon Leci, që dërgoi portierin në të majtë e topin në anën e djathtë. Në minutën e fundit të ndeshjes, Drita ka shënuar edhe njëherë, kur Livoreka iku nga e majta, gjuajti e portieri vendas mbrojti, por topi sërish erdhi te Livoreka, i cili tashti shërbeu Xhevdet Shabanin, që me urti e futi topin në rrjetë. Ndeshja u mbyll me një gol mjeshtëror të Haxhi Nezirajt, i cili paraboli portierin nga Gjilbratari dhe vendosi rezultatin përfundimtar Lincoln Red Imps – Drita 1:4.
Drita si fituese e mini-turneut preliminar fitoi të drejtën që të luaj në xhiron e parë ndaj ekipit Malme të Suedisë, ndaj të cilit humbi në dy ndeshje.
Në ndeshjen e parë, të zhvilluar më 10 korrik 2018 në Prishtinë, Drita ka pësuar humbje 3:0. Malmo kreu punën që në pjesën e parë, ku realizoi dy gola Carlos Strandberg dhe Arnor Traustason. Në pjesën e dytë golin e gjeti edhe Markus Rosenberg, duke e vulosur rezultatin final, 3:0.
Në ndeshjen e dytë të zhvilluar më 17 korrik në Malmo, Drita ka pësuar 0:2. Ekipi bardh e kaltër fillimisht u ndëshkua në minutën 55 kur për ekipin suedez ka shënuar Carlos Strandberg e vendasit kanë shënuar për herë të dytë edhe në minutën 60 nëpërmjet Eric Larsson.
Pas largimit nga Europa Champions League, Drita ka luajtur në Europa League ndaj ekipit F91 Dudelange nga Luksemburgu. Më 26 korrik 2018 në Luksemburg. David Turpel realizoi nga penaltia të cilën e shkaktoi Endrit Krasniqi. Paraprakisht futbollisti Nicolas Perez barazoi rezultatin në minutën e 66-të, pasi gjilanasit po avanconin me golin e Xhevdet Shabanit të realizuar në minutat shtesë të pjesës së parë.
Në ndeshjen e kthimit Drita barazoi për eliminim. Në ndeshjen e zhvilluar në Mitrovicë, me 2 gusht 2018, Xhevdet Shabani dha një gjuajtje dënimi, Leci zgjati topin me kokë për kapitenin Limani, i cili nga afërsi me kokë e futi topin në rrjetë. Drita pati edhe raste të tjera të mira, por nuk realizoi më. Në pjesëlojën e dytë mysafirët ishin shumë më të mirë. Që në sekondën e njëzet ia dolën të barazojnë rezultatin.
Në kohë pandemie, Drita sërish kishte luajtur në kualifikimet për Champions League dhe pas shumë shtyrjeve kishte mundur ekipin Inter Club d’Esclades me rezultat 2:1, por e humbi pa luajtur fare ndeshjen ndaj ekipit Linfield shkaku se lojtarët e Dritës dolën me coronavirus. Mirëpo Drita vazhdoi garat në Uefa League, ku më 17 shtator 2020 janë ndeshur në Shkup me Sileksin e Kratovës dhe kanë fituar me rezultat 2:0. Goli i parë është shënuar nga penaltia, pasi që më herët në brendi të zonës është rrëzuar Namani. Dënimin më të rëndë në futboll e dha Fidan Gërbeshi, që dërgoi portierin në njërën anë e topin në anën tjetër. Pas një asistimi të Hamdi Namanit, Ardian Limani ka shënuar në minutën 80 për të vulosur fatin e këtij takimi. 2:0. Në xhiron tjetër Drita u ndesh me ekipin Legia nga Varshava me 24 shtator në Poloni. Drita humbi me rezultat 2:0. Goli i parë për vendasit erdhi në minutën 24, kur pas një harkimi nga e majta, lojtari polak Wszole gjuajti me kokë dhe topi që u përplas për tokë përfundoi në këndin e djathtë të epërm të portierit Maloku. Pekhart ka shënuar në minutën 42, pas një harkimi nga e majta ku qendërsulmuesi i ekipit polak gjuajti me kokë.
Në vitin 2021, Drita luajti në Europa Conference League dhe në ndeshjen e parë u ballafaqua me ekipin nga Tuzi, Deçiq. Në ndeshjen e parë të zhvilluar më 8 shtator 2021 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drita ngadhënjeu me rezultat 2:1. Në minutën e tretë erdhi një dush i ftohtë për Dritën, ku pas një dëbimi nga shtylla, Ilir Camaj ka shënuar për 0:1. Në minutën 10, pas një aksioni Drita ia ka dalë të barazojë në 1:1 nëpërmjet Almir Ajzerajt, kurse rezultati përfundimtar u arrit në minutën 78, kur Muja, lojtari më i mirë i ndeshjes, bukur futet në brendi, gjen Simonovskin e ky mbi trupin e Popoviqit e futi topin në rrjetë.
Në ndeshjen e dytë, të zhvilluar më 15 shtator 2021, Ardian Cuculi e ka shënuar golin e vetëm në sfidën e sotme e cila u mbyll me rezultat 0:1 në favor të gjilanasve.
Në xhiron e ardhshme, Drita në Prishtinë u përball me Feynoordin e famshëm dhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë luajti baraz 0:0, derisa në ndeshjen e kthimit në Roterdam për pak sa nuk bëri befasinë më të madhe, ngase u eliminua tek në minutën e fundit, kur u mposht me rezultat 2:3, duke bërë njërën ndër ndeshjet më të mirë në historinë e saj.
Edhe sivjet FC Drita pati paraqitje të shkëlqyeshme në Evropë.
Më 6 korrik 2022 në qytetin Turku të Finlandës Drita u përball me ekipin Inter Turku. Një pakujdesi në mbrojtje i ka kushtuar ekipit të Dritës me humbje në ndeshjen e Europa Conference League që e ka zhvilluar ndaj ekipit finlandez.
Pas një ndeshje të baraspeshuar në pjesëlojën e parë, FC Drita ishte shumë më e mirë në pjesën e dytë dhe po kontrollonte ndeshjen, por një pakujdesi në mbrojtje u ka kushtuar shumë atyre. Pas një topi të gjatë në anën e djathtë, mbrojtësi i Dritës Ilir Blakqori në vend që të qëllojë topin, e qëlloi sulmuesin e krahut të Inter Turkut dhe gjyqtari nga Çekia pos që dha goditje dënimi për ekipin vendas, Blakqorin e ndëshkoi me karton të verdhë, që ishte i dyti për të. Nga goditja e dënimit u harkua në brendi dhe pas goditjes së parë portieri Faton Maloku ia doli që të prit topin, por shkurtazi deri te sulmuesi shtatlartë Jussi Niska që me kokë shënoi për epërsinë e vendasve për rezultatin 1:0.
Drita, ndonëse me dhjetë lojtarë në fushë u mundua që të barazojë rezultatin, por pa ia dalë që të shënojë deri në fund.
Në ndeshjen e luajtur më 12 korrik në Prishtinë, Drita e dërmoi ekipin kundërshtar. Me të filluar ndeshja Drita ka arritur të shënojë me anë të Marko Simonovskit që në minutën e dytë për 1-0. Sapo ka nisur pjesa e dytë Arbnor Muja ka arritur të dyfishojë rezultatin, duke shënuar pas dy tentimeve për 2-0.
Në minutën e 51-të, Drita mbylli dilemën e fituesit, kur Baftiu asistoi te Muja, i cili me qetësi shënoi për 3-0. Dritën në ndeshjen e radhës më 21 korrik 2022 e priste Antwerpi i famshëm.
Skuadra gjilanase ka arritur të sigurojë një barazim pa gola, 0-0. Ekipi i Ardian Nuhiut zhvilloi ndeshje të kujdesshme që nga fillimi, duke u fokusuar në mbrojtje. Bardhekaltrit tentuan disa herë nga kundërsulmet, por nuk arritën të krijonin ndonjë rast ideal shënimi.
Ky rezultat pozitiv padyshim se e motivoi edhe më shumë skuadrën gjilanase dhe tifozët e flaktë të tyre para ndeshjes së kthimit, e cila u zhvillua një javë më pas më 28 korrik 2022.
Përkundër lojës së mirë të treguar, si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në ndeshjen e dytë, gjilanasit nuk kanë arritur të tundin rrjetën e belgëve, ndërsa me golat e pësuar në pjesë të dytë u eliminuan me rezultat të përgjithshëm, 0-2 me golat që i kishin shënuar Laurit Krasniqi 52 dhe Michel Balikwisha 90+8./Kryelajmi.com/