FC Drita ka shënuar një fitore të madhe në përballjen ndaj FC Prishtinës, duke triumfuar me rezultat të pastër 0-3 në kryeqytet, në një ndeshje ku skuadra gjilanase dëshmoi cilësi, efikasitet dhe mentalitet fituesi.
Skuadra e Dritës zhvilloi një paraqitje bindëse, duke kontrolluar momentet vendimtare të takimit dhe duke dhënë sinjale se po e rimerr veten pas rezultateve të mëparshme.
Golin e epërsisë për Dritën e shënoi Blerim Krasniqi, i cili realizoi drejtpërdrejt nga goditja e këndit, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin 0-1 për gjilanasit.
Me të nisur pjesa e dytë, Drita vazhdoi me të njëjtin ritëm. Pas një aksioni të mirë të ndërtuar nga mysafirët, Ikball Jashari asistoi për Liridon Balajn, i cili shënoi për rezultatin 0-2, duke e afruar skuadrën e tij edhe më shumë drejt fitores.
Kur ndeshja po i afrohej fundit, Drita goditi sërish. Këtë herë ishte Nguena, i cili e thelloi epërsinë në 0-3, duke vulosur një triumf të merituar të skuadrës gjilanase.
Me këtë fitore, FC Drita arrin kuotën e 20 pikëve, duke marrë tri pikë të rëndësishme dhe duke konfirmuar ambiciet e saj në garën kampionale./Radio Star/










