Kampioni i Kosovës në sportin e futbollit, FC Drita ende nuk ka bërë asnjë përforcim, por zyrtari Gentrit Murseli beson se përsëri do të jetë Drita ekipi që do të thotë fjalën e fundit.
Afati kalimtar i transferimeve ende nuk është hapur, mirëpo skuadrat e Superligës kanë filluar të përforcohen.
Feronikeli e Prishtina janë dy skuadrat që kanë kryer më së shumti transferime deri më tani, kurse Drita po vëzhgon situatën e kundërshtarëve dhe po pret momentin e duhur për të ‘goditur’.
Ekipi nga Gjilani do të përfaqësojë Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe tashmë synimi i tyre është që të mbajnë lojtarët kyresorë e më pas të përforcojnë skuadrën për kualifikime dhe normalisht për edicionin e ardhshëm të Vala Superligës 2018/19.
Zyrtari i Dritës, Gentrit Murseli ka thënë se klubi i tij përsëri do të thotë fjalën e fundit në merkato, por nuk pranoi të flas për emërat e lojtarëve që klubi po monitoron.
“Është e vërtetë se jemi në bisedime me disa lojtarë, por ende nuk ka diçka zyrtare. Synimi ynë si klub është ta ruajmë bazën e ekipit dhe eventualisht të përforcohemi në disa reparte për të rritur konkurrencën brenda skuadrës”, tha fillimisht Gentrit Murseli.
“Merkatoja ende nuk është hapur, por po i percjellim lëvizjet e fundit të ekipeve kundërshtare. Është mirë qe po na pret një kampionat shumë i fortë dhe interesant, por fjalën e fundit persëri do ta themi ne”, përfundoi zyrtari i Dritës, Gentrit Murseli.
Mirëpo edhe pse zyrtari i Dritës nuk deshi të flasë për emërat e lojtarëve që mund të transferojnë, klubi nga Gjilani është në bisedime me dy lojtarë (Betim Haxhimusa dhe Mentor Zhdrella).