Analisti, Arsim Plepolli, është i ftuar në emisionin “Favorit” në Televizionin 7.
Drita vs Gjilani, është ndeshja e duhur për t’i dhënë fund pushimit dy mujor dhe për të nisur sezonin pranveror në Ipko Superligën e Kosovës në Futboll.
Kështu mendon analisti, Arsim Plepolli, i cili pret nga dy skuadrat të japin më të mirën në fushë.
Plepolli ka hezituar të flasë për favoritin në këtë ndeshje, pasi sipas tij, derbi gjithmonë është i paparashikueshëm.
Është një hapje e mirë e kampionatit me këtë derbi. Është kënaqësi për futbollistët të jesh në fushë për këtë ndeshje, sepse flitet shumë para dhe pas saj”, tha Plepolli.
“Është një ngjarje e madhe ku flitet në Ballkan dhe në Evropë, sepse kemi parë portale dhe gazeta që merren me këtë ndeshje”.
“Në derbi s’ka favorit, nuk shoh favorit. Pres një ndeshje të mirë dhe besoj se në tribuna do të jetë atmosferë fantastike që do t’ia kenë të gjithë lakmi”.
“Skifterat dhe Intelektualët dinë të bëjnë atmosferë të mirë dhe vetëm shpresoj të jetë një lojë fer dhe korrekte siç ka qenë gjithmonë”.
“Shikuesit nuk falin në derbi, pa marrë parasysh formën e skuadrës, ata duan të jenë triumfues. Shpresojmë të jetë ndeshje e mirë dhe le të fitojë më i miri”.