Fitimi i titullit të kampionit nga Drita, ka bërë që shumë tifoz,ish-futbollist e punëtor të saj, ti gëzohen titullit të dytë në historikun e klubit.
Ish futbollisti i Dritës i viteve të 70-ta, i cili me mjaft sukses luante në rolin e qendërsulmuesit, Isuf Morina, i cili tani është Sekretar (ushtrues detyre) tek “bardh e kaltërtit” e Dritës, shumë herët ishte dashuruar në klubin e Dritës, një gjë të tillë e kishte trashëguar nga babai i tij, Abdullah Morina i cili në mënyra të ndryshme e kishte ndihmuar klubin e Dritës.
“Jam shumë krenar që babai im në vitet e më hershme kishte kontribuar për Dritën, unë e trashëgova dhe u dashurova në këtë klub, jam rritur dhe kam dhënë gjithçka për këtë klub, gjithmonë kam qenë afër për të mirë e për të keq e kam përjetuar e titullin e parë edhe Kupën por ky titull ka qenë më i veçanti, kemi sakrifikuar shumë jemi angazhuar i madh e i vogël për këtë sukses të Dritës”.
Isufi, ka falënderuar edhe njerëzit të cilët e mbajnë gjallë skuadrën e Dritës.
“Dy njerëzit që po mbajnë gjallë këtë klub, Valon Murseli e Flamur Bunjaku, së bashku me drejtorët e klubit Feti Murseli e Fisnik Kërqeli, janë njerëzit që kanë bërë një punë profesionale dhe kanë gëzuar një popull të tërë dhe çdo individ që ka kontribuar për suksesin e Dritës nga zemra ju them faleminderit”, ka bërë të ditur, Isuf Morina.
Gëzim të papërshkruar dhe me lot në sy, e ka përjetuar titullin e klubit edhe Naser Sylejmani, i cili ka djersitur fakelen e Dritës në mesin e viteve të 70-të, Sylejmani kishte luajtur në rolin e qendërmbrojtësit për një kohë të gjatë ndërsa si ekonom në klubin e Dritës kishte filluar para 36 vite pikërisht në vitin 1982 për mos të munguar asnjë minutë.
Sylejmani për titullin e fituar nga skuadra e tij e zemrës, që tërë rinin ja ka fali ngjyrave “bardh e kaltër” me emocione thekson.
“Gëzimin tim nuk mund ta përshkruaj këtë e din vetëm zemra ime, jam shumë i lumtur që klubi i zemrës sime ka arritur të na gëzon një qytet të tërë, kjo festë vetëm mund të përjetohet e jo të shpjegohet, gjerë në minutat e fundit të ndeshjes isha në trans dhe erdh momenti kur zemra dhe gjithë mundi për një jetë të tërë të shpaguhet, e falënderoj kryesin, tifozët të gjithë ata që na mundësuan këtë gëzim jetësor, nuk ka ma kënaqësi shpirtërore se të jesh pjesë e Dritës dhe “Intelektualëve”, përfundon Sylejmani.