Drita e Gjilanit zbret sonte në fushën e “Arenës Kombëtare” në Bukuresht për të përballuar një sfidë të rëndësishme ndaj Steuas së Bukureshtit, në kuadër të ndeshjes së parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Takimi nis nga ora 20:30 dhe për kampionët e Kosovës paraqet një tjetër mundësi për të dëshmuar vlerat në arenën ndërkombëtare.
Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve ndaj Copenhagenit, Drita ka lënë pas zhgënjimin dhe ka kthyer fokusin te kjo përballje, me qëllimin e qartë për të mbajtur gjallë ëndrrën evropiane.
Edhe pse përballë një kundërshtari me emër dhe përvojë si Steua e Bukureshtit, skuadra gjilanase nuk është nga ato që tërhiqet lehtë.
FCSB vjen pas një eliminimi nga Shkëndija e Tetovës dhe, pavarësisht përbërjes cilësore dhe statusit si favoritë në letër, ndeshja e sotme nuk pritet të jetë aspak e lehtë për rumunët.
Drita ka treguar më herët se di të luajë pa frikë edhe ndaj rivalëve më të mëdhenj, dhe kjo pritet të jetë një tjetër mundësi për të befasuar.
Drita, nuk mund të llogarisë në shërbimet e sulmuesit Liridon Balaj i cili është i pezulluar dhe mesfushorit Juan Mesa, i cili po rikuperohet nga një dëmtim i rëndë.
Përkundër këtyre pengesave, kampionët e Kosovës kanë udhëtuar në Bukuresht me besim dhe qartësi taktike.
Një rezultat pozitiv në këtë sfidë do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit dhe do të konfirmonte edhe një herë rritjen e futbollit kosovar në arenën evropiane.
Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në stadiumin “Adem Jashari” në Prishtinë.