Kampioni i Kosovës, Drita, zhvillon sonte ndeshjen e kthimit të raundit të parë në Ligën e Kampionëve, përballë Differdange 03 në Luksemburg.
Ndeshja luhet në stadiumin “Stade Municipal de la Ville de Differdange”, me fillim nga ora 20:00. Drita vjen në këtë sfidë pas fitores minimale 1-0 në takimin e parë të zhvilluar në Prishtinë.
Arb Manaj ishte heroi i ndeshjes së parë, duke shënuar golin e vetëm dhe duke i dhënë epërsinë ekipit gjilanas për sfidën e kthimit.
Skuadra e Zekirija Ramadanit dominoi takimin e parë dhe tregoi lojë më të mirë, duke dëshmuar se e meritonte fitoren. Tani, synimi është i qartë, kalimi për herë të parë në raundin e dytë të këtij kompeticioni prestigjioz.
Një lajm i mirë për Dritën është rikthimi i kapitenit Rron Broja, i cili ishte i suspenduar në ndeshjen e parë dhe tashmë është i gatshëm të ndihmojë skuadrën.
Kualifikimi do të ishte një arritje historike për Dritën dhe për futbollin kosovar, ndërsa gjithë vëmendja është e përqendruar te ky 90-minutësh vendimtar në Luksemburg.