Të mërkurën do të zhvillohen dy ndeshjet kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll.
Vëmendja kryesore do të jetë në derbin mes Dritës e Prishtinës, ku të dy ekipet hyjnë në këtë sfidë të barabarta.
Takimi i parë i cili u zhvillua në Lipjan përfundoi pa fitues e pa gola.
Sikurse Drita, po ashtu edhe Prishtina synim e kanë finalen dhe fitimin e trofeut, i cili ua mundëson daljen në Evropë.
Forma e të dy skuadrave është e ndryshme në kampionat, shkruan “Gazeta Express”.
Drita po lufton për titullin kampion dhe gjendet në pozitën e dytë në tabelë me dy pikë më pak se kryesuesit.
Kurse, Prishtina është në mesin e tabelës dhe larg një vendi për Evropë dhe për ta Kupa është opsioni i vetëm.
E përballja tjetër gjysmëfinale që luhet po të mërkurën është derbi lokal mes Ballkanit e Suharekës.
Portokallinjtë hyjnë në këtë ndeshje me epërsinë 0:1 nga sfida e parë e luajtur para dy jave.
Golin e fitores e kishte realizuar Marsel Ismajlgeci krejt në fund të sfidës.
Ballkani është duke e synuar këtë edicion titullin e tretë radhazi në Superligë, ku janë të parët në tabelë.
Në krahun tjetër, Suhareka po shkon sigurt drejt titullit kampion dhe sigurimit të Superligës për stinorin e ardhshëm.
Suharekasit i kanë pesë pikë më shumë se përcjellësit më të afërt.
Të dy ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen të mërkurën nga ora 15:00. /Gazeta Express/