FC Drita ka mbërritur në Andorrë, ku nesër do të zhvillojë ndeshjen e kthimit ndaj Inter Club d’Escaldes, në kuadër të play-offit të UEFA Conference League.
Kampionia e Kosovës udhëton me objektivin e qartë për të siguruar kualifikimin në fazën e ligës së Conference League, pasi ndeshja e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat 2-2. Drita kaloi dy herë në epërsi përmes Hajdin Salihut dhe Blerim Krasniqit, por skuadra nga Andorra arriti të rikthehet në lojë dhe ta barazojë rezultatin.
Tash, gjithçka mbetet e hapur dhe skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu duhet të japë maksimumin në transfertë për ta siguruar një tjetër sukses në arenën evropiane.
Drita ka ndërtuar një skuadër me ambicie të mëdha dhe me ardhjen e disa lojtarëve cilësorë ka treguar se synimi këtë sezon është të bëjë një hap edhe më të madh në Evropë. Pas paraqitjeve të mira në rundet paraprake, gjilanasit kanë tashmë një mundësi konkrete për të shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit.
Sfida në Andorrë do të jetë vendimtare. Të enjten, Drita do të kërkojë rezultatin që do ta dërgonte në fazën e ligës së Conference League dhe do t’i jepte klubit një tjetër moment historik në futbollin evropian.
Drita është 90 minuta larg një tjetër historie. Nesër në Andorrë do të mësohet nëse ekipi i Ardian Nuhiut do ta bëjë hapin e madh drejt fazës së ligës./Radio Star/

