Drita ka arkëtuar pikët e plota në kuadër të xhiros së 21-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka arritur të përmbys gjithçka për të triumfuar si mysafirë kundër Ballkanit me rezultat 2:1.
Pjesa e parë ishte e baraspeshuar sa i përket rasteve dhe posedimit të topit, megjithatë 45 minutshi u përmbyll me epërsinë e vendasve.
Por, “Intelektualët” arritën që fillimisht të barazojnë rezultatin dhe më pas të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë
Haxhi Neziraj realizoi i pari për bardhekaltërit në të 57 minutë pas një aksioni të rrjedhshëm të bashkëlojarëve.
Njëzet minuta para përfundimit të takimit, kampionët arritën të dalin në epërsi përmes Kyrian Nwabuezes, ku asistues ishte Xhevdet Shabani.
Deri në fund të ndeshjes më nuk pati raste për t’u veçuar dhe kështu ndeshja përfundoi në dobi të mysafirëve me rezultat 2:1.
Pas kësaj, Drita mbetet në pozitën e katërt të renditjes tabelore me 32 pikë gjersa Ballkani zë vendin e tetë me 27 pikë.