Drita triumfoi përballë Ballkanit në kryendeshjen e javës së dhjetë në Superligën e Kosovës në futboll, por mbeti e ‘plagosur’, shkruan Gazetasheshi.com.
‘Bardhekaltërit’ që ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë ndaj FC Prishtinë të mërkurën (23 tetor) në kryeqytet do të jenë të hendikepuar pa disa futbollistë.
Liridon Leci do të mungojë për shkak të kartonit të kuq të marrë në duel me FC Ballkanin, ndërkohë për shkak të pezullimit të kartonëve do të mungojë edhe mesfushori Bujar Shabani.
Një tjetër mesfushorë që pritet ta humbasë këtë ndeshje është edhe Hamdi Namani, i cili është i lënduar në gju.
Këto janë mungesat e konfirmuar të gjilanasve.
Ndërkohë, probleme me lëndime kanë futbollistët Gilberto Fortunato dhe Izair Emini. Të dy futbollistët u detyruan ta braktisnin fushën e lojës për shkak të zgjatjeve muskulare dhe me shumë mundësi pritet ta humbasin ndeshjen e mesjavës.
Probleme muskulare pati edhe Darko Tofiloski, ‘gardiani’ maqedonas, i cili megjithatë e vazhdoi ndeshjen.
Edhe kryetrajneri Ardian Nuhiu konfirmoi mungesat dhe telashet me lëndimet që ka për duelin e radhës, ndërkohë që shpreson se disa nga futbollistët do a dalin të rikuperohen.
Kujtojmë që dueli Prishtina – Drita është i vlefshëm për javën e njëmbëdhjetë./Gazeta Sheshi/