Drita është ndalë me një barazim në fushë të vet ndaj Dukagjinit të Klinës, barazim ky që mund të konsiderohet si dështim, kur dihen objektivat e ekipit bardh e kaltër.
Drita, që dukej se i ka punët në mbrojtje, sot pësoi dy herë e po aq herë edhe shënoi, kurse krejt në fund pati mundësi të artë të fitojë ndeshjen, por Besnik Krasniqi në kohën shtesë e huqi penaltinë.
Ish-lojtari i Dritës, Bujar Shabani ka shënuar për herë të parë në minutën 30, kur për mrekulli qëlloi pjesën e epërme të portës së Smakiqit.
Kjo nuk i demoralizoi vendasit, që në minutën 40 barazuan nëpërmjet Blerim Krasniqit, i cili shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes mysafire në krye me portierin e tyre Kenan Haxhihamza që boshatisi portën dhe me kokë futi topin në rrjetën e zbraztë për 1:1.
Në kohën shtesë të pjesëlojës së parë, mbrojtja mysafire ndërhyri në Besnik Krasniqin dhe gjyqtari Dardan Çaka dha penalti, të cilën në mënyrë mjeshtërore, Besnik Krasniqi e shndërroi në gol.
Në pjesëlojën e dytë mysafirët patën disa raste të mira dhe në njërin nga ta Ar. Dallku me kokë barazoi për 2:2 e Drita përkundër rasteve të mira nuk ia doli të shënojë. Krejt në fund vendasit patën rast shumë të mirë të fitojnë ndeshjen, kur për ta u dha penaltia e dytë, por gjuajtjen e Besnik Krasniqit e kuptoi portieri Kenan Haxhihamza dhe rezultati mbeti i barabartë 2:2./kryelajmi.com/.