Klubi i futbollit Drita është në seri të mirë të rezultateve qëkur kampionati vazhdoi pas pezullimit shkaku i pandemisë së koronavirusit.
Brenda këtij muaji. liderja e Superligës. ka arritur katër fitore rresht dhe gjithsej ka shënuar nëntë gola e nuk ka pranuar asnjë.
Kjo seri pozitive e rezultateve e ka gëzuar shumë trajnerin e Dritës, Ardian Nuhiu, duke shtuar se vetëm me punë është arritur një gjë e tillë. Ai shpreson që klubi i tij do ta ruajë deri në fund pozitën e parë për ta kthyer titullin në Gjilan.
“Më vështirë është ta mbash vendin e parë sesa ta fitosh. Tani është faza kur do të ketë edhe ndeshje të vështira, por ne do të mundohemi ta ruajmë këtë pozitë deri në fund të edicionit. Do të jetë e vështirë, por ne do ta marrim me qetësi çdo ndeshje”, ka thënë Nuhiu për “Sportin në KTV”.
Drita ka pesë fitore rresht, derisa në katër ndeshjet e fundit nuk ka pranuar asnjë gol. Ka fituar 1:0 ndaj Flamurtarit, 2:0 kundër Trepçës ’89. Me të njëjtin rezultat e ka mposhtur edhe Ferizajn, kurse të mërkurën mposhti Vushtrrinë thellë, 4:0.
Në fundjavë skuadra e udhëhequr nga Nuhiu do ta ketë edhe një përballje relativisht të lehtë, pasi pret skuadrën e fundit të elitës, Dukagjinin.
Deri në fund të stinorit kanë edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar. Drita është në vendin e parë me 55 pikë. Titullin e ka fituar dy herë në periudhën e pasluftës, në edicionet 2002/03 dhe 2017/18.