Drita do të përballet sonte në Madrid në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni evropian, ku do të luajë ndaj Rayo Vallecanos në kuadër të xhiros së fundit të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Campo de Fútbol de Vallecas”, me fillim nga ora 21:00.
Skuadra gjilanase aktualisht renditet në pozitën e 19-të me tetë pikë dhe mban ende gjallë shpresat për kualifikim, ndërsa Vallecano zë vendin e shtatë me 10 pikë.
Diferenca minimale e pikëve e bën këtë përballje vendimtare për fatin e të dyja skuadrave në garat evropiane.
Drita ka zhvilluar një edicion dinjitoz në Ligën e Konferencës, duke treguar organizim të mirë taktik dhe karakter në paraqitjet ndërkombëtare. Ajo ka arritur rezultate pozitive ndaj kundërshtarëve të fortë, duke dëshmuar se është një përfaqësuese e denjë e futbollit kosovar në Evropë.
Në anën tjetër, Rayo Vallecano vjen në këtë duel pas barazimit pa gola (0:0) në shtëpi ndaj Real Betisit në La Liga, në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma.
Drita synon të shfrytëzojë çdo mundësi për një rezultat pozitiv në Spanjë, duke qenë e vetëdijshme se një paraqitje e fortë mund t’i hapë rrugë një suksesi historik në arenën ndërkombëtare.

