FC Drita sonte nis rrugëtimin në garat evropiane me ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Žalgirisit të Lituanisë, e cila zhvillohet në transfertë.
Skuadra gjilanase ka udhëtuar drejt Lituanisë me objektivin për të marrë një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit. Drita pritet të paraqitet me formacionin më të mirë, pa mungesa të rëndësishme, duke i dhënë trajnerit Zekirija Ramadani të gjitha opsionet në dispozicion.
Në konferencën për media para takimit, Ramadani u shpreh optimist për gjendjen e ekipit.
“Skuadra është e gatshme për të zbritur në fushë dhe për të dhënë maksimumin. Motivimi është shumë i madh dhe presim një rezultat pozitiv. Do të mundohemi të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi ai.
Drita synon të hedhë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, përballë një kundërshtari me përvojë në arenën evropiane, duke shpresuar të kthehet nga Lituania me një rezultat që do ta mbante favorit për ndeshjen e kthimit./Radio Star/

