Sot zhvillohen ndeshjet e xhiros së 20-të në Superliga e Kosovës, ku vëmendja në Gjilan është përqendruar te përballja mes Drita dhe Drenica.
Skuadra gjilanase do të jetë nikoqire e Drenicës në këtë xhiro të rëndësishme të kampionatit, në një sfidë që pritet të ketë peshë të madhe në garën për kreun e tabelës.
Drita vjen në këtë takim pas një jave jo të lehtë, pasi në mesjavë u eliminua nga Kupa e Kosovës nga Llapi. Megjithatë, tashmë fokusi i plotë i bardhekaltërve është rikthyer te kampionati, aty ku synimet mbeten të qarta.
Në xhiron e fundit, Drita arriti fitore minimale ndaj Ferizaj, duke mbetur vetëm katër pikë larg vendit të parë. Kjo e bën përballjen e sotme edhe më të rëndësishme për ekipin nga Gjilani, që synon të vazhdojë serinë pozitive dhe të mbajë hapin në garën për titull.
Ndeshja zhvillohet nga ora 13:00 në Gjilan, në stadiumin ndihmës me bari sintetik.

