Skuadra gjilanase FC Drita do të zhvillojë sot një ndeshje të rëndësishme ndaj Ferizajit në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës. Pas një barazimi në mesjavë kundër Prishtinës në ndeshjen e mbetur, Drita synon të rikthehet te fitoret në këtë takim.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka theksuar se përballja ndaj Ferizajit nuk do të jetë e lehtë, duke paralajmëruar një sfidë të fortë në fushë. Ramadani gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij për ndryshimin e papritur të orarit të ndeshjes. Sipas tij, ndeshja ishte planifikuar të luhej të hënën, por komisioni e njoftoi më vonë për zhvillimin e saj të dielën. Ai theksoi se kjo krijon një ngarkesë të madhe për klubin, por veçanërisht për lojtarët.
Ndeshja do të zhvillohet në orën 13:00 në stadiumin me bar sintetik në Ferizaj, ku Drita do të kërkojë të marrë tri pikët për të vazhduar ecurinë e saj në kampionat dhe të mbajë ritmin e skuadrave në krye të tabelës.