Shkencëtari i Vitit 2018 Driton Vela, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nëse e gjitha popullata e Kosovës vaksinohet me vaksinën e AstraZeneca atëherë në Kosovë do të ndodhin rreth 5 raste me mpiksje gjaku.
Vela, deri tek ky konstatim vie duke u bazuar në të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar, shkruan Syri.net Kosova
Tutje, ai në shkrimin e tij, thekson se duke iu referuar këtyre statistikave në vend mund të vdes vetëm një person.
Shkrimi i plotë:
Tja qesim lapsin efekteve anësore të vaksinës AstraZeneca
Numri më i madh i vaksinimeve me vaksinën e AstraZeneca është realizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas të dhënave zyrtare nga ky vend rreziku nga trombet e rrezikshme (kryesisht është fjala për trombet në sinusët venoz të trurit) nga kjo vaksinë është rreth 1.33 raste për 1 milion vaksinime. Sipas Agjensisë Evropiane të Barërave (EMA) ky rrezik është 4.8 raste për 1 milion vaksinime, ndonëse numri i rasteve të raportuara nga EMA mund të jetë më i pasaktë për shkak se këto të dhëna janë nga 9.2 milion vaksinime (priten të përditësohen së shpejti). Në popullatën e rritur numri i rasteve me këto tromboza (pavarësisht vaksinimeve) është 3-4 raste për 1 milion banorë. Dmth, edhe nëse këto trombe janë të shkaktuara nga vaksina (gjë që ende nuk është vërtetuar në mënyrë definitive) na del që sipas të dhënave aktuale rreziku nga këto tromboza nga përdorimi i kësaj vaksine nuk është më i madh se rreziku bazë në popullatë.
Kjo i bie që nëse e gjitha popullata e Kosovës vaksinohet me vaksinën e AstraZeneca atëherë në Kosovë do të ndodhin rreth 5 raste me këso lloj trombozash (nëse marrim për bazë të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar), prej të cilëve ndoshta do të kemi 1 rast vdekje.
Po sikur ta marrim shembullin e aspirinës, bari popullor i përdorur nga miliona njerëz anembanë botës, çfarë do të na thonin të dhënat? Aspirina e dhënë për parandalimin e trombeve në sistemin kardiovaskular shkakton 1 rast me gjakderdhje të rëndë në çdo 769 pacientë të trajtuar, që i bie 2 raste për reth 1500 pacientë të trajtuar me aspirinë, apo 1333 raste për 1 milion pacientë të trajtuar. A dmth kjo që duhet ta ndalim aspirinën për përdorim?
Po e zëmë që për të shpëtuar një 1 rast vdekje e ndalim vaksinimin. Cila është alternativa? Ta marrim vaksinën e Pfizer?
Ta zëmë që vendosim të shkojmë në këtë rrugë. Çfarë do të ndodh? Fillimisht, kjo vaksinë kushton 5-7 herë më shtrenjtë se ajo e AstraZenecas. Tjetra, nëse vendosim të marrim vaksinën e Pfizer, atëherë logjistika që kërkohet për ta realizuar këtë plan (kontratat, prodhimi për Kosovën, shpërndarja) do të na humb disa muaj kohë në opcionin më të mirë. Në ndërkohë, do të na infektohen me dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa do të vdesin me qindra njerëz. E gjithë kjo për të shpëtuar potencialisht 1 rast vdekje i cili mund të ndodh (gjasat janë që edhe të mos vdes askush) nga përdorimi i vaksinës të AstraZeneca.