Varësia nga droga nuk po i mban imun as personat që ndodhen prapa grilave, sidomos në Burgun e Dubravës – ku raportohen raste të tilla më së shumti dhe siç duket me lehtësi po futet droga brenda hapësirave të burgut.
Një sasi e konsiderueshme e narkotikëve është sekuestruar sot sërish në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas burimeve të Sinjalit, pas një informate të pranuar nga oficerët korrektues, Njësiti i Antidrogës në Pejë ka dalë në vendin e ngjarjes.
Në hapësirën mes rrjetës metalike rrethuese dhe murit të burgut, oficerët korrektues kanë gjetur një qese plastike, brenda së cilës ishin dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Vlera e drogës që u tentua të futej brenda Qendrës Korrektuese, është vlerësuar mbi 6,000 euro, thonë tutje të njëjtat burime.
Lidhur me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimit.