Sot, Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen për të ia lëshuar me qira Danimarkës burgun e Gjilanit, ku pritet t’i kryejnë dënimet aty rreth 300 të burgosur danezë.
Lidhur me këtë marrëveshje Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë se Kosova nuk ka qendra të mjaftueshme të paraburgimit që t’i vendos tashmë të burgosurit që janë momentalisht në Gjilan, në mënyrë që t’i lirojë hapësirat për të burgosurit danezë.
“Sa i përket institucioneve për me i vendos personat e paraburgosur ne e kemi përmendur dhe adresuar në raportin e fundit që e kemi publikuar – që nuk ka qendra të paraburgimit në Kosovë që kanë kapacitete aktuale për m’i vendos këta 200 të burgosur. Pra, ne i kemi edhe disa qendra të tjera të paraburgimit siç është ajo në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë, ku asnjëra nga këto nuk kanë kapacitete për t’i ofruar strehim të paraburgosurve që duhet të zhvendosen nga burgu i Gjilanit”, deklaroi ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndërkohë, Haliti thotë se do të krijohen dy lloje të standardeve për të burgosurit, ato të Kosovës dhe Danimarkës, me ç’rast potencon se do të ketë edhe pabarazi.
“Do të ketë një pabarazi ndaj të paraburgosurve të të dënuarve të Kosovës, sepse brenda një territori do të kemi dy lloje të standardeve. Standardin e Institucioneve Korrektuese të Kosovës, që fatkeqësisht përkundër ngritjeve dhe kapaciteteve e standardeve s’mund të themi që janë me standarde të njëjta me vendet e zhvilluara sikur Danimarka. Në momentin që ky burgi i jepet me qira Danimarkës do të krijojmë një standard tjetër të ri”, tha ajo.
Gjithashtu, ajo theksoi se me marrëveshjen e nënshkruar, trajtimi dhe vendosja e të burgosurve nga Danimarka do të bëhet sipas standardeve daneze.