Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka kohë që ka nisur një fushatë për të luftuar për drejtësi dhe thyerjen e stigmës ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.
Teksa një ditë më parë ajo u shpërndau kolegëve të saj në parlament banderolën me mbishkrimin #rallyforherjustice (së bashku për drejtësinë e saj), duket se fushata e saj ka arritur edhe në duart e emrave eminentë botërorë.
Në mesin e tyre është edhe artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila në profilin e saj në Instagram ka publikuar një fotografi me #rallyforherjustice, duke treguar se mbështet fushatën e Krasniqi-Goodmanit, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen tubimit për këtë kauzë, e cila do të mbahet më 28 tetor, para Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë në New York.
Dua Lipën e ka falënderuar deputetja përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ditë më parë Krasniqi-Goodman tregoi detajet e këtij tubimi.
“Bashkohuni me ne në tubimin e dytë #RrallyforHerJustice kundër krimeve të pandëshkuara të luftës të Serbisë për dhunë seksuale në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë, më 28 tetor, para Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë në Qytetin e New Yorkut. Më shumë se 20 vjet më vonë 70.000 të dhunuar dhe ende pa drejtësi. Shpërndajeni dhe merrni pjesë! Ju lutem bëni fotografi me #RallyForHerJustice dhe i dërgoni tek unë. Faleminderit!”, shkroi Vasfije Krasniqi-Goodman në një postim në Facebook para pak ditësh. /Zëri