Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se ishte një “lapsus gjuhësor”, kur gjatë një interviste mbrëmë për televizionin boshnjak Hayat në një rast i ishte referuar Kosovës si “Kosovë e Metohi”.
Ajo ka thënë se kërkon falje më “përulje dhe nga zemra për gabimin gjuhësor”. Ajo ka thënë se nuk do ta përsërisë më një gabim të tillë.
“Të nderuar qytetarë të Kosovës, mbrëmë ka pasur një intervistë në HAYAT MEDIA BIH, duke e pasur parasysh se ishin orët e vona të natës, përkushtimi im dhe e përditshmja ime që në shqip po t’i jap intervistat e rregullta përkundër vështirësive dhe lëshimeve eventuale gjuhësore, e ndrojtur për të mos gabuar dhe për të thënë atë që mendoj, pasi që intervista ishte në gjuhën boshnjake, kam bërë një “lapsus lingua”, pa vetëdije dhe pa e vërejtur lëshimin tim, në njërën nga pyetjet e gazetarit, kam thënë ‘serbët e Kosovës dhe Metohisë’, edhe pse disa herë të tjera në po të njëjtën intervistë kam shqiptuar mirë Kosovën. Ju kërkoj falje për gabimin tim gjuhësor dhe shqetësimet eventuale që kam mundur të ju shkaktoj juve të gjithëve. Përulem para jush dhe me respekt e me zemër ju kërkoj falje dhe ndjesë për gabimin tim gjuhësor. ‘Të gabosh është njerëzore, të kërkosh falje për gabim që bën është zotim se nuk do të përsëritet më ai gabim’”, ka shkruar Balje.
Deputetja e pushtetit gjatë intervistës kishte treguar se si ka bërë kërkesë për të hapur edhe me Sarajevën një Zyre ndërlidhëse. Ajo kishte treguar për letrat që i ka dërguar anëtarit serb të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.