Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka deklaruar se vendimi i fundit i Qeverisë Kurti rreth çështjes së targave ka qenë në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse këto të fundit dolën haptazi të zhgënjyera me kryeministrin Albin Kurti mbi këtë temë.
Megjithatë, Dugolli tha se bashkëpunimi me SHBA-në është i thellë, gjithëpërfshirës dhe si asnjëherë më parë ka koordinim.
“Kur them koordinim, ta kuptoni se Qeveria e Kosovës gjithçka që merr vendime në lidhje me raportet apo në lidhje me proceset që janë edhe miqtë tanë të kyçur nuk krijon befasira. Gjithmonë njoftimet e dakordimet bëhen paraprakisht”, tha ai në Tëvë 1.
Në anën tjetër, ai u shpreh se gjithmonë ekziston rreziku i përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.
Sipas tij, mundësitë për përshkallëzim ekzistojnë përderisa Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj dhe mundohet me forma të ndryshme ta prishë stabilitetin.
“Rreziku për përshkallëzim ekziston gjithmonë derisa Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj, nuk heq dorë mundohet që me forma të ndryshme të minon stabilitetin, ngritë tensione. Ju e dini që nënkryetari i Listës Serbe është Milan Radoiçiq që është në listën e zezë të SHBA-së dhe po ai çdo ditë takohet me Vuçiqin edhe krerët shtetërorë të Serbisë”, shtoi ai.