Kohëve të fundit, po jepen mendime Pro et Contra lidhur me çështjen e dialogut për kufijtë aktual të Kosovës dhe se në këtë vazhdë të kontributdhënies, edhe unë Gani Neziri, them se jo vetëm që pajtohem me kërkesën për bashkëngjitje (rikthimit) të Luginës me Kosovën, por është edhe kërkesë e imja kjo.
Shkruan: Gani Neziri
Para se gjithash, është kërkesë e popullatës të mbetur padrejtësisht jashtë kufirit natyror-gjeografik të ëmës së vet Kosovës-Shqipërisë.
Do të doja që në fillim t’i informoja (veçse ata që nuk e kanë ditur!) se kufijtë aktual të Kosovës janë produkt i një komisioni jugosllav të kohës së qeverisëse titoiste (pa asnjë shqiptarë në përbërje të atij komisioni) i krijuar nga Titoja dhe Rankoviqi, me në krye politikanin e rryer malazez, Milovan Gjillas. Ky komision famëkeq, kishte për qëllim kryesor ndryshimin demografik në dëm të shqiptarëve, në “Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës” (KSAK).
Kjo rezultoi me nxjerrjen nga KSAK të disa komuna shqiptare (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë). Ndërsa, për këmbim ia ofroj KSAK-së komunën serbe (Leposaviqin me disa fshatra tjera të banuara me serb) pra, për të rritur edhe më shumë prezencën e përqindjes serbe në KSAK.
Krejt kjo, formulë e fshehur politike në emër të “mirëkuptimit” për “Vëllaznim-Bashkim” me popuj jugosllav. Pra, u bëjë pyetje miqve të mi, rivalëve politik; a vërtetë jeni shumë të interesuar që t’i ruani këta kufi, të këtij komisioni Rankoviqo-Titist, pa asnjë shqiptarë në përbërje të këtij komisioni?!
Në fakt, gjithsesi përpiqem të kuptoj edhe shqetësimin tuaj real. Jemi provuar keq gjatë historisë. Si thotë populli: “Na ka djegur qumështi tani duhet t”i fryjmë edhe kosit”
Megjithatë, të mbledhim mendjen qetësisht dhe të thërrasim arsyen e interesit madhor shtetëror, që jo vetëm të përkrahni idenë e ndryshimit të kufijve që na i caktuan komisionet e huaja pa vullnetin tonë, por edhe të bëheni pjesë e punës konkrete të komisionit në monitorim të kujdesshëm e gjakftohtë të veprimeve të Presidentit. Atëherë kur edhe ju do të jeni aty, do të mund “ta tërhiqni nga jaka” Presidentin, në rast të ndonjë lajthitjeje të mundshme, të cilën (kam të drejtë të besoj) se ai nuk do ta bënte.
Në të kundërtën, nëse Presidenti nuk do t’ju respektojë gjatë negociatave, atëherë krejt kollaj mund të dilni nga salla duke demonstruar mospajtimin tuaj. Madje, fort besoj se do të bëhemi mbështetje e juaj shumëfish më shumë nga që jemi tani.
Tanimë, të gjithë po e shohim se status-quoja nuk është interesi ynë. Kohët po ikin dhe nuk kthehen më. Erdhën kohë të reja dhe lypsen vendime e veprime të reja. Pra, me krijimin e rrethanave të reja (aktuale), në Kosovë dhe Serbi, janë krijuar rrethanat për të “përmirësuar-korrigjuar gabimet” që kishin krijuar komisionet famëkeqe që përmenda më lartë.
Ashtu si është e ditur nga gjithë ne, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë pjesë të popullatës së tyre që të pakënaqur vazhdojnë të jetojnë pa vullnetin e tyre jashtë shteteve të tyre. Pra, brenda një shteti tjetër që e quajnë armik. Por, shtroj pyetjen: E pse t’i lëmë të pakënaqur me jetën e tyre të dyja palët, si shqiptarët andej e po ashtu edhe serbët këndej?! Normalisht, nëse vërtetë na janë krijuar mundësitë reale.
Ndërkohë që, tani jemi në shekullin XXI dhe me shumë shpresa të shtuara për ndryshim pozitiv të mentalitetit politik brenda dy shteteve, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Normalisht, gjithmonë e shprehur me dyshime. Gjithmonë duke e ditur edhe faktin se; jo të gjithë politikbërësit mund të avancojnë mjaftueshëm në ecje me kohën. (Ndoshta është nevoja për një sqarim miqësorë (nuk e di), brenda subjektit tim politik, janë në dijeni bashkëpartiakët e mi se; ka kohë që ndjehem jo mjaftueshëm i respektuar nga Presidenti i shtetit dhe sidomos i revoltuar me politikën e brendshme kadrovike që zbatonte gjatë kohës sa ishte kryetar i partisë, me ç’rast edhe zbeha respektin që kisha për të).
Pra, dua të ju them se; me këtë shkrim publik, hiç nuk kam për qëllim që të fërkohem rreth tij me servilitet, bash hiç, ama, bash hiq. Mirëpo, pavarësisht kësaj, kur është në pyetje interesi i përgjithshëm kombëtar, nuk duhet mbajtur inat! Këtë radhë, po e shoh si një burrështeti serioz që përpiqet seriozisht të merr vendime historike për të mbyllur çështjen më delikate me një armik shekullor – Serbinë.
Madje, duke guxuar të merr mbi vete peshën e rëndë të historisë pa e patur frikën se veprimet e tija mund ta lajthisin në tradhti kombëtare. Gjë që, presidenti Thaçi nuk do ta bënte kurrë me dëshirën e tij për qëllime lakmie.
Unë dakorodhem që Presidentin Thaçi duhet hetuar për shpenzimet enorme që i bënë djali i tij duke shëtitur gjithë dynjanë! Sa aty e sa atje. Prej nga ato para?!!! A veç djali i tij po u dashka të shëtis gjithandej botës?! Ndërkohë që shokët e djalit të tij nuk kanë mundësi të sigurojnë as librat e shkollës e as drutë për dimrin që po vjen!
Prandaj, miq të mi të nderuar, dakordohem në përpjekjen e Presidentit për të korrigjuar e “përmirësuar” kufijtë e Kosovës që u krijuan nga komisioni famëkeq jugosllav. Jo veçse për të rikthyer-bashkangjitur Preshevën e Bujanocin (siç po thotë vet Presidenti) por, dakordohem qetësisht edhe për të nxjerrë Leposaviqin nga Kosova dhe disa pjesë tjera të banuara me serbë, sipas modelit “metër për metër” që nuk po e thotë Presidenti! Madje, as unë nuk e kam të qartë, pse këtë nuk po e thotë Presidenti! Duhet thënë! Kjo nuk është tradhti, kjo, vërtetë është korrigjim, është përmirësim, është rikthim në vendin ku ishte më parë.
Prandaj: Pse të mos shkoj Leposaviqi me pjesët e saja në shtetin amë të tij në Serbi, aty ku ndjehet më së miri?! Pse të mos rikthehen shqiptarët e luginës me shtetin amë të tyre në Kosovë, aty ku ndjehet më së miri?! Pse?
Kështu si jemi sot; të dy palët janë të pakënaqura. Me përmirësim, të dy palët ndjehen të kënaqura. Historikisht, gjithmonë ishte kështu, duke përjashtuar kohën rankoviqo-titiste, për qëllimin djallëzor që e përmenda më lartë.
Komisioni ynë i mundshëm, duhet të rrijë pranë Presidentit dhe për çdo pesë “dakika” duhet t’i pëshpërit në vesh se; për Serbinë është e mjaftueshme veçse Leposaviqi me rrethinë, sepse, serbët e dinë që Kosova ka dhënë më shumë se sa kaq, duke llogaritur dëbimin masiv nga tokat tona në vitin 1878, nga fushat e gjëra të Toplicës e Kurshumlisë që përbënë (nëse nuk gaboj) 674 fshatra shqiptare.
Pra, ky përmirësim-korrigjim kufijsh nuk qon drejt një lufte të re miq të nderuar por, përkundrazi, është shpresë për mbylljen e kapitullit të luftërave të pandalshme qindvjeçare ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Krejt në fund:
1. Për qëllime taktike politike, do të preferoja që Komisioni ynë, të mos përbëhet nga gjitha partitë politike. Disa, duhet vazhduar të mbesin në qëndrimin KUNDËR me qëllim të synimeve afatgjata.
2. Duhet kushtëzuar Presidentin që; asnjë definim të marrëveshjes finale me Serbinë, të mos e bëjë pa prezencën dhe garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
a. Për kontributin e madh që kanë dhënë për Kosovën, që nga fillimi i bombardimeve e deri sot.
b. Në rast të devijimit serb gjatë dialogut (qysh janë besëprerë ata), I vetmi garantues serioz mund të jetë veçse SHBA.