Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës dhe Mjedisit, Hysen Durmishi, ka njoftuar se kjo Ministri ka marrë vendim për shkëputjen e kontratave për katër segmente të autostradës së Gjilanit.
Sipas Durmishit, për shkak të zvarritjes së punimeve dhe mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale.
Ai tha se ky vendim është marrë pas pakënaqësive të vazhdueshme të qytetarëve dhe mungesës së progresit real në terren.
“Ministria e Infrastrukturës ka marrë një vendim sot. Ne sot i kemi shkëputur kontratat për katër segmente të autostradës së Gjilanit, sepse i ka ardhur fundi durimit edhe të qytetarëve, por edhe neve si Ministri për mënyrën se si është punuar aty”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka bërë të ditur se nga gjithsej segmentet e kësaj autostrade, katër janë përfunduar – një është në fazën përfundimtare, ndërsa për katër të tjera kontratat janë shkëputur në mënyrë të njëanshme.
“Ka qenë e pamundur me përfundua këto kontrata dhe ne në mënyrë të njëanshme kemi bërë shkëputjen e kontratës për katër segmente, katër të tjera janë të përfunduara, njëra është para përfundimit dhe gjysmën e tyre pra i kemi shkëputur”, tha ai.
Sipas tij, kjo masë është e vetmja mënyrë për të mundësuar përfundimin e plotë të autostradës së Gjilanit.
Ai ka shtuar se Ministria kishte tentuar t’i shkëpuste kontratat edhe më herët, por për shkak të mënyrës se si ishin menaxhuar ato nga qeveritë e kaluara, procesi kishte qenë i ndërlikuar.
“Kjo është e vetmja mundësi që të përfundojë autostrada. Kemi provuar me i shkëput këto kontrata shumë më herët, por mënyra se si janë menaxhuar kontratat kanë pasur shumë probleme. Kemi rrezikuar që të kemi penallti prej këtyre shkëputjeve, kontratat kanë qenë të nënshkruara prej qeverive të kaluara. Prej shumë prej tyre, më shumë janë paguar pagesa sesa që janë kryer punime”, tha ai. /teve1.info/

