Në dy ditët e fundit, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Vjosa Osmani, u.d. e Presidentes, kanë mbajtur takimet e para me partitë e tjera pas certifikimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Në bisedat e tyre me PDK, LDK, AAK e përfaqësuesit e partive parlamentare minoritare, kanë diskutuar për formimin e institucioneve.
E pas takimeve të shumta në dy ditët e fundit, Kurti e Osmani kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Kurti krahas 58 deputetëve që i fitoi me partinë e tij dhe me përkrahjen e Osmanit, mund të llogarisë edhe në disa vota të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joserbe në Kuvendin e Kosovës.
Votën pro qeverisë Kurti tanimë e kanë pohuar edhe përfaqësuesit e boshnjakëve, ashkalinjëve, romëve dhe egjiptianëve në Parlament.
Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve, Duda Balje nga Unioni Socialdemokrat, Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike dhe Emilia Rexhepi e Partisë së Re Demokratike kanë konfirmuar se do ta votojnë Qeverinë Kurti II kurdo që të mbahet seanca.
“Do t’i përkrahim që të dy, edhe Kurtin për kryeministër edhe Osmanin si presidente. Ne si parti nuk patëm kushte specifike, por deshëm që të prioritizohen programet qeverisëse për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, sidomos për komunitetin rom”, tha Galushi i LPR, shkruan Reporteri.net.
Edhe Balje pas takimit me Kurtin e Osmanin deklaroi se do të votojë për qeverinë Kurti e presidenten Osmani.
“Kemi pasur një takim shumë konstruktiv, kemi bërë marrëveshje për gjëra shumë të rëndësishme për neve boshnjakeve në Kosovë. Kam japë përkrahjen time për formimin e Qeverisë dhe votimin e presidentit”, ka thënë Balje.
Ndërkaq Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat ka thënë se nuk do të pengojnë formimin e institucioneve por pa treguar nëse do të votojë në favor të qeverisë udhëhequr nga i pari i VV-së.
”Nuk kemi folur konkretisht për vota por për programin. Ne kemi edhe një takim. Tash nuk e dimë se çfarë do të ndodh, por ne nuk kemi paraqitur pengesa për formimin e institucioneve”, ka thënë Demiri.
E përfaqësuesit e turqve i kanë vu kushte Kurtit e Osmanit në rast se dëshirojnë votat e tyre për qeveri.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, ka thënë se në këmbim të votës së turqve në Kuvend i kanë kërkuar Kurtit një post ministror në qeverinë që pritet ta udhëheq ai.
Kurti e Osmani janë takuar edhe me Listën Serbe, të cilët nuk kanë treguar se si do të votojnë kur në rend të ditës të jetë formimi i Qeverisë.
Megjithatë, me 4 votat nga minoritetet jo serbe, Kurti deri më tani ka siguruar 62 vota në Kuvend e që janë të mjaftueshme për ta marrë timon e udhëheqjes së qeverisë, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Galushi, Krasniqi, Balje dhe Rexhepi tanimë i kanë premtuar votën edhe Osmanit për presidente.
E nga partitë shqiptare, sinjale se do ta votojë qeverinë Kurti ka dhënë edhe Behgjet Pacolli, president i AKR-së.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Pacolli ka ftuar kolegët e tij deputetë të respektojnë vullnetin e sovranit dhe të hapin rrugë për formimin e Qeverisë së re.
Por, Kurti e Osmani kanë ende punë për të bindur PDK-në, LDK-në e AAK-në të qëndrojnë në sallë për t’ia bërë kuorumin prej 2/3 të 120 deputetëve kur të votohet për presidentin e Kosovës, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Të premten e kësaj jave Kurti e Osmani pritet të takohet me LDK-në, pasi kryetari i ri i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, refuzoi ftesën për të hënën me arsyetimin se duhet të merret me konsolidimin e partisë pas zgjedhjeve të brendshme.
Kujtojmë që në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani, që tash është u.d. e Presidentes, ishte kandidate e VV-së për t’u bërë shefe e shtetit.