Në futbollin kosovar, sukseset e mëdha nuk vijnë rastësisht. Ato ndërtohen me vizion, përkushtim dhe menaxhim të qëndrueshëm ndër vite. Pikërisht këtë e kanë dëshmuar Feti Murseli dhe Valon Zymberi, dy drejtuesit që tashmë konsiderohen ndër më të suksesshmit në historinë moderne të futbollit në Kosovë.
Që nga ardhja e tyre në krye të menaxhimit të FC Dritës, ky tandem i pandashëm ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, duke e shndërruar klubin gjilanas në një nga skuadrat më stabile dhe më të suksesshme në vend. Nën udhëheqjen e tyre, Drita ka fituar plot katër tituj kampioni, duke dëshmuar vazhdimisht profesionalizëm, organizim dhe ambicie të larta.
Titujt kampion të fituar nga FC Drita nën drejtimin e tyre janë:
2017/2018
2019/2020
2024/2025
2025/2026
Këto trofe janë dëshmi e qartë e punës së madhe që është bërë ndër vite nga Feti Murseli dhe Valon Zymberi, të cilët me përkushtim dhe vizion kanë ndërtuar një skuadër konkurruese dhe fituese.
Një rol shumë të rëndësishëm në këtë rrugëtim kanë pasur edhe Flamur Bunjaku dhe Valon Murseli, të cilët u kanë besuar drejtimin e klubit dy njerëzve që sot qëndrojnë pas një prej periudhave më të suksesshme në historinë e FC Dritës.
Katër tituj kampioni nuk janë vetëm statistikë, ato janë vulë e një epoke të artë për klubin gjilanas dhe dëshmi se ky tandem ka ditur ta menaxhojë klubin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Sot, emrat e Feti Murselit dhe Valon Zymberit lidhen ngushtë me suksesin, stabilitetin dhe mentalitetin fitues të FC Dritës./Radio Star/

