Saktësisht dy javë më parë, qyteti i Gjilanit ishte tronditur nga një vrasje e trefishtë.
Në qendër të qytetit, në pikë të ditës, u vranë tre persona.
Dyshimet janë dhe mbeten se gjithçka kishte nisur pas mosmarrëveshjeve për fajde. Megjthatë, më shumë se shkaku i vrasjes, mbetet engimë dështimi spektakolar i shtetit për kapjen e të dyshuarve.
Tre persona janë ende në arrati për atë rast. Mefail Shkodra me dy djemtë e tij Edonisin dhe Engjullin.
Mefail Shkodra, figurë e njohur për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, pasi kishte pasur dosje të trashë. Ishte arrestuar së fundmi edhe për fajde, por më pas u lirua me dorëzani.
Por, atë që dikur institucionet e liruan me dorëzani, sot është i pakapshëm. Pavarësisht ‘llafeve’ se mund të kenë shkuar në Serbi, Policia e Kosovës nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë rast.
Policia kishte bërë të ditur se kanë ndërmarrë disa veprime, por që ende nuk ka pasur asnjë mundësi t’u bie në gjurmë tre anëtarëve të familjes Shkodra.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti të rëndë. Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës ku do qoftë në stacionin ma të afërt. Janë njoftuar të gjitha pikatë kufitare që nga momenti i parë kur është raportuar rasti. Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mundë të strehohen të dyshuarit”, thuhej në përgjigjen e policisë në Gjilan.
Viktimat nga ky krim i rëndë janë Selami dhe Edmond Hasani (babë e bir) dhe Abedin Hoxha.
Asnjë detaj tjetër për këtë rast nuk dihet, as mënyra se si ikën, e as veprimet e tjera hetimore të institucioneve.
Katër policë ishin suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Por, ky nuk është rasti i vetëm ku shteti dështoi t’i arrestojë të dyshuarit për vrasje.
Në ditën që ndodhi rasti në Gjilan, në Hajvali të Prishtinës u vra një person.
Dy javë pas vrasjes, Xhemajl Nuhiu i dyshuari kryesor për vrasje, është ende në arrati.
Policia e Kosovës e kishte shpallur në kërkim, megjithatë, njëjtë, asnjë gjurmë ende për kapjen e tij.
“Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar për veprën vrasje që ka ndodhë mbrëmë në Hajvali” theksonte Policia.
Kosova ishte tronditur nga katër të vrarë brenda një dite, por që e përbashkëta tjetër është se të dyshuarit ende nuk janë kapur.