Klinika Infektive e QKUK-së ka raportuar sot se gjithsej 33 persona të infektuar me virusin vdekjeprurës COVID-19 janë duke u trajtuar në këtë Klinikë, ndërsa dy persona të shtrirë aty vazhdojnë të jenë në gjendje të rënduar shëndetësore
Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se dy nga pesë personat që janë në hemodializë vazhdojnë ta kenë gjendjen e përkeqësuar dhe janë në gjendje kritike për jetën.
“I kemi pesë pacientë në oksigjenoterapi dhe dy vazhdojmë t’i kemi në Repartin Intensiv të Klinikës. Gjendja e këtyre dyve është e renduar dhe janë në gjendje kritike për jetën. Njëri është i moshës 63-vjeçare dhe personi tjetër është i moshës 77-vjeçare, që të dy pacientët janë në hemodializë të rregullt”, tha Krasniqi për “Zërin”.
Ndërkaq, 26 nga 33 pacientët që po vazhdojnë trajtimin në këtë Klinikë, të infektuar me virusin COVID-19, sipas Krasniqit, gjendjen shëndetësore e kanë stabile.
“Për momentin në Klinikë i kemi 33 pacientë me COVID-19 pozitivë dhe gjendja shëndetësore e 26 prej tyre është e mirë”, përfundoi ai. /ZËRI