Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Viti, ku pas përfundimit të një seance gjyqësore, dy persona dyshohet të kenë kërcënuar një zyrtar policor.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në dalje të Gjykatës, ku polici pasi është kërcënuar nga 21-vjeçari, është nisur në drejtim të veturës së tij, ku ndodheshin edhe tre persona tjerë. Në atë moment dyshohet se njëri nga ta i është drejtuar të riut, duke i thënë ta lërë tash se e zënë në një vend tjetër.
I njëjti dyshohet të ketë fyer zyrtarin policor, çka ka bërë që dy të dyshuarit të arrestohen dhe të shoqërohen në stacion policor.
Sinjali mëson se 21-vjeçari është emër i njohur për drejtësinë, pasi i njëjti një muaj më parë është dënuar me gjashtë muaj me kush për kanosje ndaj një zyrtari tjetër policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje dhe të hetohen për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.