Mbledhja e radhës ndërmjet dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, do të mbahet më 26 nëntor në qytetin e Pejës. Në fokus të tij do të jenë çështjet nga fusha e ekonomisë, për cka pritet të nënshkruhen disa marrëveshje. Por përfaqësues të bizneseve thonë se shumë pika të nënshkruara në takimin e mbajtur vitin e kaluar ende nuk kanë filluar të zbatohen.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në takimin e mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Korçë kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, me qëllim të fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Por disa prej tyre që kanë të bëjnë me intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, ende nuk kanë gjetur zbatim. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara nga ana e MZHE-së, janë kryesisht nga fusha e energjetikës, por që ende nuk janë implementuar në tërësi.
“Janë kryesisht marrëveshje energjetike të cilat nuk kanë arritur të implementohen për shkak të problemit që e kemi me mos implemtimin e marrëveshjes së interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë. Në momentin që marrëveshja më Serbi fillon të implemtohet, e që presim shumë shpejt, pasi që organizata Evropiane e Transmisionit është futur në këtë proces, atëherë të gjitha këto vihen në matematikë” ka thënë Lluka .
Zbatim nuk kanë gjetur as pikat që i takojnë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. E zëdhënësi i kësaj ministrie, Elhami Ismajli, ka treguar detajet e propozimeve që do të bëhen në takimin e radhës në Pejë.
“Është propozuar që të rishikohet çështja e çmimit të taksës së rrugës. Po ashtu është kërkuar edhe heqja e skanerit për kontrollin që u bëhet bizneseve kosovare në kalimin në Shqipëri, njëkohësisht është propozuar themelimi i një zyre në Prizren, për doganimin e prodhimeve me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, dhe një marrëveshje që ia mundëson Kosovës një portë hyrëse në portin e Durrësit për shkak të qarkullimit të mallrave”tha Ismajli.
Ndërkaq në emër të Klubit të Prodhuesve, biznesmeni Shaqir Palushi ka thënë se të dy qeveritë nuk kanë punuar sa duhet sa i përket shtimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai thotë se do të marrin pjesë në takimin e radhës në Pejë, qoftë si protestues apo si të ftuar.
“Forma se si do të jemi të pranishëm varet nëse do të marrim ftesë nga qeveria. Nëse do marrim ftesë, sigurisht se do të jemi pjesë e ekipit, në të kundërtën ne do të jemi të pranishëm, por në formë tjetër, do të thotë t’i protestojmë. Mendojmë se dy qeveritë asgjë të rëndësishme nuk kanë bërë në drejtim të shtimit të bashkëpunimit mes dy vendeve” ka thënë Palushi.
Klubi i Prodhuesve konsideron se takimet e të dy qeverive më tepër kanë qenë takime për media, ngase nuk kanë pasur efekt në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve./rtk/