Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) i është kthyer sërish punës të hënën pasdite, pak orë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i miratoi si të bazuara disa nga apelet e kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Po ashtu, me rekomandim të QNR-së, Komisioni Qendor Zgjedhor (KQZ) miratoi kërkesën për rinumërimin e votave të shtatë vendvotimeve, të cilat janë numëruar nga persona të dyshuar për përfshirje në manipulim.
Florentina Gjergjaj, kandidate për deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka fituar njërën nga betejat e saj të para që nga përfshirja në politikë. PZAP-ja ka dërguar në rinumërim të gjitha votat me kusht dhe ato me postë të AAK-së, pasi Gjergjaj pretendon se gjatë numërimit të këtyre votave ka ndodhur parregullsi, që i kanë kushtuar asaj me humbjen e postit të deputetes.
“Unë dhe shtabi im në vazhdimesi kemi qenë duke e përcjellur rezultatin që nga publikimi i formularëve nga KQZ-ja. Pjesë e shtabit kanë qenë ekspertë të proceseve zgjedhore dhe ekspertë juridikë. Kemi vërejtur ndryshime në rezultate të njërës nga kandidatet, e cila nuk ka qenë në përputhshmëri me numrin e votave të fituara nga subjekti”, thotë Gjergjaj për Radion Evropa e Lirë.
“Parimisht iu besoj institucioneve dhe cilido që të jetë vendimi përfundimtar nga institucionet, do ta respektoj”, shton ajo.
Çfarë po kontestohet?
Në apelin e saj, Florentina Gjergjaj ka thënë se deri para numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë, ajo dhe kandidatja tjetër nga AAK-ja, Albana Bytyqi, kishin më shumë vota sesa kandidatja Meliza Haradinaj-Stublla, e cila njëherësh është ministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, në mënyrë artificiale i është rritur numri i votave nga personat që kanë futur të dhënat në sistem apo nga personat kompetentë, të cilët kanë bërë numërimin dhe rinumërimin e votave”, thuhet në apelin e kandidates Gjergjaj.
AAK-ja në total ka marr rreth 3 mijë vota me kusht dhe me postë, nga të cilat sipas Gjergjajt, 709 vota kanë shkuar në favor të Meliza Haradinaj-Stublla.
“Është e pabesueshme që vetëm njëri nga kandidatët në listën e AAK-së, të ndryshojë pozicion të vazhdueshëm gjatë numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë”, shtohet në apel.
Në vendim, PZAP-ja është thirrur edhe në një video të publikuar në një portal vendor, ku shihen tre persona, të cilët dyshohet se diskutojnë lidhur me falsifikimin e votave për kandidaten e AAK-së në QNR.
Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre materialeve.
Haradinaj-Stublla i ka hedhur poshtë si ta pabaza këto akuza. Në një reagim në Facebook, ajo ka thënë se i gëzohet vendimit të PZAP-së.
“Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përsëris, me bindje të plotë që as unë, as bashkëshorti, e asnjë familjar e bashkëpunëtor i imi nuk është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime”, ka thënë ajo.
Sa është i mundshëm manipulimi në QNR?
Kjo është hera e parë në Kosovë, që pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, urdhërohet rinumërimi i votave për kandidatë për deputetë.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, komisionerët që merren me procesin e numërimit janë të punësuar nga KQZ-ja, por vëzhguesit e subjekteve politike dhe organizatave joqeveritare lejohen që të monitorojnë procesin.
Zyrtarët e KQZ-së nuk komentojnë se a ka lëshime që mund të çojnë në manipulim të rezultatit, por thonë se ky institucion e ka ftuar prokurorinë që të hetojë pretendimet e ngritura.
“Pas publikimit në media të lajmit, KQZ-ja ka reaguar menjëherë, duke kontaktuar me Prokurorinë e Shtetit. Si KQZ, kemi ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Rrjeti i organizatave që merret me monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV) e konsideron të rëndësishëm angazhimin e hetuesisë në procesin e rinumërimit dhe fton edhe kandidatët e tjerë që kanë dyshime, që të bashkëpunojnë me prokurorinë.
“Duhet pritur rinumërimin e këtyre shtatë vendvotimeve, të cilat KQZ-ja, me rekomandim të QNR-së i ka dërguar në rinumërim si dhe procesi i rinumërimit të votave me kusht dhe postë, të subjektit AAK. Nëse pas rinumërimit del se ka pasur skema masive të manipulimit, meqënese po flasim për qindra vota diferencë, atëherë duhet të shikohet se a duhet të shkohet në rinumërim të tërsishëm. Nëse dikush mundet që pëmes dy-tre personave të manipulojë qindra vota, atëherë kjo skemë mund të ketë ndodhur edhe në vendvotime të tjera”, tha për Radion Evropa e Lirë, Eugen Cakolli nga DnV-ja.
Sidoqoftë, ai është skeptik që një skemë e tillë mashtrimi mund të funksionojë aq lehtë.
“Duke e njohur mënyrën e plotësimit të të dhënave në QNR, unë dyshoj se ka mundur të ndodhë një skemë e përmasave të tilla, kur po flasim për qindra vota. Vëzhguesit tanë kanë thënë se gjatë tërë kohës ka pasur vëzhgues të subjekteve politike, të OJQ-ve që e kanë përcjellur procesin dhe për të kryer një skemë të tillë të manipulimit të rezultateve, duhet involvim më i madh i akterëvë të procesit zgjedhor”, shtoi Cakolli.
Ankesa të tjera
PZAP-ja ka hedhur poshtë disa ankesa të tjera të kandidatëve, duke përfshirë edhe nga radhët e Aleancës Kosova e Re, të cilët kanë garuar në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Disa nga ta, duke përfshirë edhe Jetlir Zyberjan e AKR-së , kanë paralajmëruar se do të ankohen në Gjykatën Supreme.
Ndërkaq, deputeti i zgjedhur i AAK-së, Bekë Berisha ka kërkuar rinumërim të plotë të të gjitha votave.
KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 4 mars.
Certifikimi i tyre mund të marrë edhe disa ditë, pasi që PZAP-ja ka miratuar disa apele të kandidatëve dhe subjekteve politike, ndërkaq të njëjtit kanë edhe mundësinë tjetër të ankesës, atë në Gjykatën Supreme./REL