Fetahi sqaron për albinfo.ch arsyet përse dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Odës së Hotelierisë dhe Turizmit në Kosovë.
Prej 20 deri më 24 janar 2023 nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit e Kosovës për herë të parë në Kosovë është organizuar Gara e kuzhinierëve, e cila është mbajtur në hapësirën e Klan Arena.
Garën në mes të kuzhinierëve e vlerësonte juria katëranëtarëshe, përgjegjëse për gjykimin e pjatave të konkurruesve. Ndër ta ishte kryetari i jurisë, Faruk Neziri, duke vazhduar me Naim Bashmilin, Vlatko Ognenovskin dhe Skender Hekurin.
Për shkak të dyshimeve për manipulime gjatë ndarjes së çmimeve në këtë garë dha dorëheqje nënkryetari i sapozgjedhur i kësaj Ode (OHT), Fehmi Fetahi i cili po e ndiqte online nga Zvicra, këtë eveniment të rëndësishëm, shkruan albinfo.ch.
Në një video të siguruar nga vetë kuzhinierët në prag të ndarjes së parë të çmimit, në prani të publikut dhe para shumë kamerave, juria e fton në skenë ekipin fitues të vendit të dytë me numër 3, për ta marrë çmimin. Në ndërkohë ndryshojnë mendjen duke thënë që ishte ftuar gabimisht (shih videon)!