Një rrugë që u bë javë më parë me asfalt të ri e trotuar në Viti, u ka rënë shumë në sy qytetarëve.
Jo se ishte ndonjë investim “kapital” porse diçka shkoi gabim kur u bë shenjëzimi i rrugës.
Vijat e bardha u vendosën edhe aty ku nuk i hyjnë në punë askujt, çka po i bënë konfuz këmbësorët e vozitësit.
Kjo ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani”, përgjatë lumit Morava ku janë vizatuar “zebra” që çojnë në lumë.
Në lidhje me këtë “gabim”, në Drejtorinë e Inspekcionit kanë thënë për Plus TV, se ata nuk kanë pasur qasje në shenjëzimin e rrugës dhe se kjo është bërë nga Zyra e Projekteve në këtë komunë pas riparimit të rrugës.
Ndërsa, këta të fundit janë arsyetuar duke thënë se në lokacionin e vijave të bardha kishin planifikuar ndërtimin e një ure mbi lumë por që kompania e shenjëzimit të rrugëve ka bërë më herë sinjalistikën ndërkohë që urën e re e kanë zhvendos metra më larg.