Gjilan, 11 maj 2025 — Drejtori sportiv i SC Gjilanit, Syart Rrahmani, ka reaguar ashpër pas përfundimit të ndeshjes së fundit, duke akuzuar gjyqtarët Visar Kastrati dhe Ilir Mehmeti për vendime të padrejta që, sipas tij, po dëmtojnë sistematikisht ekipin gjilanas.
Në një deklaratë për TV Dukagjini, Rrahmani ka shprehur pakënaqësi të thellë me gjykimin, duke aluduar se arbitrat po veprojnë me motive personale.
“E kanë personale me ne,” u shpreh ai, duke theksuar se disa prej vendimeve gjatë ndeshjes kanë ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm në rezultatin përfundimtar, por edhe në moralin e skuadrës.
Kjo deklaratë vjen në një periudhë të tensionuar për SC Gjilanin, që ndodhet në garë për pozitat e larta në renditje. Konfliktet me gjyqtarët nuk janë të rralla këtë sezon, ndërsa tensionet janë rritur ndjeshëm javët e fundit.
Zyrtarët e klubit kanë paralajmëruar se do të kërkojnë rishqyrtim të vendimeve nga organet përkatëse të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ndërkohë, Rrahmani ka lënë të kuptohet se nëse, sipas tij, padrejtësitë vazhdojnë, nuk përjashtohet ndërmarrja e hapave të tjerë nga ana e klubit./Radio Star/