Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht, se trupi i pajetë që gjendet tash e disa javë në Serbi, është i Faton Hajrizit.
Ai ishte vrarë nga Policia e Serbisë në Lloznicë, pasi paraprakisht kishte vrarë një polic serb.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci.
Ai ka thënë se i është lejuar që ta shohë edhe trupin e pajetë të Fatonit.
“Po, e konfirmoj. E pashë trupin pajetë. Tash mbetet me e konfirmu edhe ekspertët tanë. Jam në përfundimin e procedurave për tërheqjen e kufomës”, ka thënë Koci për Nacionalen.
Avokati tha se aktualisht është në proces të kryerjes së procedurave të tërheqjes se kufomës.
Konfirmimi ka ardhur pasi nënës së Fatonit iu kërkua strishoja e gojës, për ta konfirmuar se bëhet fjalë për Faton Hajrizin.
Trupi i tij nuk u lejua tash e sa kohë të sillet në Kosovë, megjithatë tash duket se një gjë e tillë do të ndodh.
Në disa paraqitje televizive, avokati Koci ka dhënë disa cilësimë interesante për rastin e Hajrizit, një ish i dënuar, ndër të tjera, për vrasje të një ushtari rus, tentim vrasje të policëve e qytetarëve të kombësisë shqiptare dhe plaçkitje të armatosura, ndër të tjera. Koci ka treguar për një kërkesë të çuditshme nga Serbia.
“Sot ka qenë një ditë intensive. Nga mëngjesi jam në takim me polici dhe prokurori dhe si përfundim tash e pata një kërkesë pak të çuditshme për momentin për shkak se tani po kërkohet që të merret pështyma e nënës së Fatonit në mënyrë që aty të merret materiali gjenetik dhe të krahasohet më pas me materialin gjenetik të Fatonit. Unë e kërkova arsyen pse tani në këtë faze dhe pse nuk është kërkuar menjëherë në fillim”
“Sipas policisë thanë që shenjat e gishtërinjve, shenjat papilare nuk po përputhen tërësisht, pras pjesërisht përputhen. Si duke ka dëmtim të duarve ose nuk dua të spekulojë në atë drejtim edhe kërkuan që të martën të vijë zonja në stacionin e parë të policisë, vijnë ekspertët e tyre ia marrin pështymën dhe sekretin prej hundës dhe pastaj vazhdojnë tutje me analizat e tyre.” – kishte thënë Koci në T7.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte thënë se nuk mund të konfirmojnë që kanë informacione të sakta sa i përket rastit të Faton Hajrizit, i cili dyshohet të jetë i vrari në Serbi, për vrasjen e një polici serb atje. Më poshtë, gjeni deklaratat e kryediplomates nga konferenca për media…
Duke folur në lidhje me këtë rast, Gërvalla tha se është e sigurtë që nuk dihet gjithë e vërteta rreth këtij rasti, megjithatë, shtoi se nuk fshehin informacionet pasi dua që edhe të tjerët të jenë “të informuar, ose aq të painformuar sa institucionet”’.
“Nuk mund të themi që kemi informacione të sakta, por nuk fshehim informacionet që kemi marrë, sepse duam që edhe qytetarët dhe mediat të jenë po aq të informuar, ose të painformuar sa janë edhe institucionet. Pa dashur të paragjykoj çfarë ka ndodhur në Serbi, sepse jam e sigurtë që nuk e dijmë gjithë të vërteten dhe prandaj të presim se si do të rrjedhin. I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, misioneve diplomatike, misionit në Beograd që të na ndihmojmë, por nuk mund t’ju jap me shumë siguri dhe garancë më shumë informacione, përtej asaj që kemi deklaruar deri më tani.” – tha ajo fillimisht, transmeton Nacionale.
Tutje, gazetarët e pyetën Gërvallën nëse janë kontaktuar nga Arianit Koci, avokati i autorizuar nga familja e Hajrizit për t’u marrë me rastin.
Ajo edhe një herë bëri thirrje që të bëhet kujdes me informacionet që merren, duke përsëritur se “duhet të shohin se si qëndron e vërteta”.
“Më lejoni të përsëris thirrjen, me shumë seriozitet, duhet të jemi të kujdesshëm me informacionet që shërbehemi dhe ato që po na servohen. Do të kemi kohë ta trajtojmë këtë temë, dhe të shohim se cila është e vërteta.” – ka thënë ajo.
“Natyrisht që avokati i familjes do të ketë mbështetje institucionale, edhe të misionit tonë në Beograd, s’e di a ka kontaktuar ende me përfaqësuesin tonë, Jetish Jashari, por jam e sigurt që problem më i vogël i avokatit do të jetë bashkëpunimi dhe gatishmëria e institucioneve.” – shtoi tutje.
Gërvalla si kryeministri Albin Kurti e ministrja Albulena Haxhiu ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar rreth asaj që ka ndodhur në Serbi.
“Është e rëndësishme të dijmë çka ka ndodhur, sepse një qytetar i republikës sonë, duke kaluar në Serbi, Serbia pretendon të ketë gjetur vdekjen, të shohim cila është e vërteta, mendoj që nevojitet një hulumtim ndërkombëtar rreth asaj që pretendohet të ketë ndodhur në Serbi.” – u shpreh ajo.