Tashmë është zyrtare. Nuk do të ketë ndeshje futbollistike në vikend, ashtu siç kishte paralajmëruar ekskluzivisht Gazeta “Sheshi” në mbrëmjen e 5 nëntorit.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar opinionin dhe klubet anëtare të saj se të gjitha ndeshjet e parapara për t’u zhvilluar këtë fundjavë janë shtyrë për mesjavë.
Në fakt, me vendimin e ri të Qeverisë aktivitetet e futbollit nuk janë ndërprerë, por FFK e ka vlerësuar si të nevojshme shtyrjen e ndeshjeve të kësaj fundjave, duke pasur parasysh karantimin e 7 qyteteve për fundjavë si masë për menaxhimin më të mirë të situatës me Covid-19 dhe me qëllim të lehtësimit të gjërave për klubet dhe zyrtarët e ndeshjeve, të cilët do të mund të hasnin në pengesa gjatë udhëtimit të tyre për ndeshje në qytetet e karantinuara.
Kësisoj, garat do të vazhdojnë në mesjavën e ardhshme për çka klubet do të njoftohen me kohë nga komisionet përkatëse për orarin e ri të ndeshjeve.