Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar se mbrëmë Kosova është furnizuar edhe me 3 mijë e 510 vaksina Pfizer.
Ndonëse një informatë e tillë nuk është bërë e ditur dje nga kjo ministri, për gazetën është thënë se këto vaksina janë nga Bashkimi Evropian.
“Divizioni i Komunikimit me Publikun MSh ju konfirmon se MSh ka pranuar mbrëmë kontingjentin e radhës prej 3,510 vaksinave te Pfizer, pjesë e asistencës së BE për Kosovën në sigurimin e vaksinave kundër Covid-19”, është thënë nga MSH për Express.
Përndryshe, Kosova më herët është furnizuar edhe me 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer nga BE, nga gjithsej 95 mijë doza që janë premtuar për vendin.
Ndërsa, vendi pritet që në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit qershor, të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 doza të vaksinës së AstraZenecas nga COVAX.