Gazetari Lirim Mehmetaj ka thënë se Prokuroria ka konfirmuar se pajisja e gjetur në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi, i përket Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë.
Mehmetaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se pas një kërkese për të dhëna nga Dogana e Kosovës, është konfirmuar se pajisja përgjuese është një nga 74 të njëjtat që ishin porositur nga AKI-ja.
“Pas një kërkese për të dhëna nga Dogana e Kosovës është konfirmuar se aparati që iu gjet Kajtazit në veturë është një nga 74 pajisjet e njëjta që kishin ardhur në Kosovë si material i porositur për AKI-në.
Sipas burimit në Doganën e Kosovës, pas kërkesës, Dogana ia ka ofruar këto të dhëna Prokurorisë.
Nga ajo që deri më tani aktualisht kam marrë vesh – çuditërisht – askush nga palët nuk është i interesuar shumë të vazhdohet me rastin deri në zbardhje të plotë të përgjegjësve që ilegalisht përcjellën gazetarin” – ka shkruar ai.
Mehmetaj ka thënë se me një pajisje të njëjtë, është përcjellur edhe vetë ai gjatë një kohe.
“Unë personalisht, përveç se kërkoi zbardhje të rastit deri në detaje që përgjegjësit të ballafaqohen me drejtësinë, tash, pasi veç kanë përgju për një kohë, bëj thirrje publike që të publikohen të gjitha përgjimet që më janë bërë mua.
Dua që i gjithë publiku i Kosovës të dëgjojë çdo bisedë timen për kohën që jam përgjuar”, ka shkruar gazetari.
Në tetor të vitit të kaluar, Kajtazi kishte njoftuar se gjatë kontrollit në një servis të veturës së tij, ishte gjetur një pajisje e dyshimtë.
“Sot kam sjell veturën ne servis për kontroll. Gjate kontrollit është zbuluar se ne veturën time është një pajisje e dyshimte e vendosur ne anën e majte afër rrotës. Policia është ne vend te ngjarjes duke pritur njësitë e specializuara. Për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit”, kishte thënë ai.