Raste të reja të të infektuarve me koronavirus, i njohur si COVID-19, kanë filluar të raportohen çdo ditë në mbarë botën.
Numri i personave të vdekur nga koronavirusi në mbarë botën e ka kaluar shifrën katër mijë të martën. Në Kinë – vendi më i goditur nga virusi Covid 19 – u raportuan 17 vdekje të reja.
Virusi tashmë është përhapur në më shumë se 100 shtete, ndërsa janë infektuar mbi 110 mijë njerëz, shkruan Reporteri.net.
Ndërkohë, në rajon tashmë janë konfirmuar rastet e para. Së fundmi edhe Shqipëria ka konfirmuar rastet e para. Sipas të dhënave të fundit numri i të infektuarve me këtë virus në Shqipëri ka arritur në gjashtë. Ndërkohë për të parandaluar përhapjen e virusit shkollat janë mbyllur për dy javë dhe fluturimet nga Italia veriore janë anuluar.
Mbrëmë raste të reja të të prekurve janë shfaqur edhe në Serbi. Sipas të dhënave zyrtare numri i të prekurve në Serbi ka arritur në 4.
Numri i të prekurve është rritur edhe në Maqedoni, duke shkuar në tre prej tyre.
Nga katër shtetet që kufizohen me Kosovën, tashmë të prej tyre kanë raportuar për raste me koronavirus: Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia.
Deri më tash, Kosova nuk ka shënuar asnjë rast të infektuar me koronavirus, duke u bërë kështu një ndër dy shtetet e vetme në Ballkan që janë të paprekura nga ky virus.
Ndërkohë pa asnjë rast të prekur me koronavirus është edhe shteti fqinj i Malit të Zi. /Reporteri.net