Pas më shumë se 25 vitesh karrierë aktive si futbollist Premton Muja ka vendosur ti varë këpucët në gozhdë. Sulmuesi gjilanas që bëri karrierë në shumë skuadra të njohura të vendit dhe jashtë saj ka vendosur të pensionohet nga loja aktive e futbollit për t’iu përkushtuar tashmë punës së ardhshme si trajner sportiv, shkruan Gazetasheshi.com.
Muja përmes një publikimi në llogarinë e tij ka paralajmëruar tërheqjen nga loja aktive e futbollit, derisa ka falenderuar të gjitha klubet, trajnerët dhe grupet e tifozërive që i qëndruan afër gjatë gjithë këtyre viteve.
Mbi 100 gola të realizuar nga loja aktive dhe asnjë nga penaltitë, Muja është njëri ndër golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit kosovar të pasluftës, derisa është njëri ndër futbollistët më të dashur nga publiku kosovar gjithandej vendit.
Më poshtë mund të lexoni edhe letrën emocionuese të Mujës:
“E vështirë por realitet, faleminderit futboll!
Pas shumë viteve si futbollist aktiv, më shumë se 25 vite karrierë sportive kam marrë një vendim jo edhe shumë të lehtë për mua. Që nga ky moment unë tërhiqem nga futbolli i luajtur.
Çdo fillim e paska edhe një fund, ishte futbolli që më ofroi shumë gjëra gjatë këtyre viteve. E paskam problem të pranojë këtë realitet, por ja që kjo qenka një tjetër sfidë për mua që duhet të kalojë, pasi më radhë janë sfidat e tjera.
Gjatë gjithë këtyre viteve në futboll kam patur shumë sfida, por futbolli më drejtoi në rrugën e duhur, më mësoi rrespektin, edukatën, kulturën, më ofroi emocione të cilat nuk do ti harrojë asnjëherë në jetë.
Sukseset ekipore dhe loja për grupin ka qenë gjithnjë primare për mua, përpara të gjitha sukseseve individuale.
Nuk po e kam aspak të lehtë të vazhdojë të shkruaj këtë shkrim, pasi emocionet sa vijnë e më shtohen, por unë nuk dua të harroj ti falenderoj të gjithë ata që më përkrahën vazhdimisht.
Faleminderit familjes në rend të parë për përkrahjen gjatë gjithë këtyre viteve, prindit tim Selim Muja, i cili njëherit ishte edhe trajneri im i parë në lojën e futbollit. Faleminderit të gjithë shokëve të fëmijërisë duke nisur nga moshatarët e parë që kisha në kategoritë e reja. Faleminderit të gjithë bashkëlojtarëve të mi që kemi luajtur bashkë për këto vite dhe emocionet që i kemi ndarë së bashku. Faleminderit të gjithë trajnerëve kosovarë që kemi punuar së bashku, e që gjatë karrierës time sportive kisha mbi 50 të tillë. Faleminderit të gjitha klubeve dhe drejtuesve të tyre ku kam djersitur fanelën e tyre me plot krenari dhe sukseset I kemi ndarë së bashku. Faleminderit edhe komunitetit të Gazetarëve dhe komentatorëve sportive nga i gjithë vendi, pasi pa ndihmën tuaj nuk do të isha ky që jam sot. Një falemnderim shumë të madh edhe për gjithë publikun e futbollit kosovar që gjatë këtyre viteve më dhanë shumë emocione dhe më qëndroi pranë si në momentet e mira po ashtu edhe në të vështira.
Faleminderit “Skifterave” të KF Gjilani, ekipit të fëmijërisë ku edhe mora hapat e parë si futbollistë, “Shqiponjave të Zeza” të KF Drenica, “Tigrat Verdheblu” të KF Elbasani, “Pampurat” të KF Fushë Kosova, “Elektricistët” të KF KEK-u, “Shiqponjat” të KF Besa – Pejë, “Tigrat” të KF Vllaznia – Pozheran, “Ultras Luanët” të KF Kika – Hogosht dhe tifozët e FC Hlucin (Çeki).
Një falenderim i madh shkon edhe për Federatën e Futbollit të Kosovës që më bëri ftesë të luajë për ekipin kombëtarë të Kosovës nga moshat e hershme e gjerë në ekipin A reprezentues, një ndjenjë krenarie dhe privilegji ti mbroj ngjyrat e vendit tim.
Futbollin nuk po e braktisi që nuk po mundem, por është një moment që duhet të mendohet edhe për të ardhmen, e cila është e drejtuar nga fëmijët dhe gjeneratat e reja, pasi që punën time do ta vazhdojë si pedagog sportive dhe si trajner futbolli.
Të gjithë ndoshta më keni njohur si sulmues, por po u’a them një kuriozitet. Në karrierën time të gjatë që kam shënuar mbi 103 gola në 500 paraqitje zyrtare, vetëm portier nuk kam qenë pasi që kam luajtur në çdo pozitë që më është caktuar, vetëm e vetëm për të arritur suksesin e grupit.
Debutimi im si 14 vjeçarë me gol si Junior, pastaj si 17 vjeçarë me gol në ekipin e parë në ndeshjen kundër Kosovës së Prishtinës janë vetëm disa nga rekordet që di ti mbaj mend gjatë gjithë jetës.
103 gola zyrtarë në ekipin e parë, 52 gola në ndeshje kontrolluese të gjithë nga loja aktive dhe pa asnjë penalti të vetme dhe 500 ndeshje zyrtare të luajtura.
Ndeshjet më të bukura në karrierë që kam luajtur janë përballëve kundërshtarëve si Prishtina, Drita, Tirana, Vushtrria dhe Dukagjini.
Futbollin e nisa me gol dhe me gol e përfundova.
Lamtumirë dhe shihemi së shpejti!”, ka shkruar Muja.