Transferimi Armend Thaçit dhe Leutrim Bekteshit nga Gjilani te Prishtina po del të jetë “mollë sherri” ndërmjet dy klubeve me traditë në vendin tonë.
Krejt kjo pasi bardh e kuqtë kanë refuzuar t’i lirojnë para datës 30 qershor dy futbollistët, data edhe kur u skadon zyrtarisht kontrata, ndërkohë që FC Prishtina luan më 28 qershor duelin e para parakualifikues me FC Europën për garat e Ligës së Evropës
Nëpër një situatë të tillë po kalon edhe mesfushori Argjend Mustafa, i cili gjithashtu nuk e mori fletë lëshimin nga Trepça ‘89 për të shkëputur para kohe marrëveshjen.
Krejt kjo ka bërë që klubi i Prishtinës të reagojë, duke i kujtuar se plasmani i tyre në Evropë lidhet direkt edhe me fatin e klubeve tjera kosovare.
“Prishtina së pari po përgatitet maksimalisht për skuadrën nga Gjibraltari me gjithë problemet me tre lojtarë, Thaçi, Bekteshi e Mustafa, të cilëve çuditërisht, për vetëm dy ditë kontratë nga dita e lojës nuk u japin fletë lëshimet ish-skuadrat e tyre.
Suksesi i Prishtinës dhe i Dritës do të sillte automatikisht skuadrën e tretë në Evropë dhe imagjinoni sikur Trepça ’89 ose Gjilani të përfundojnë edicionin e ardhshëm në pozitat e skuadrave të treta pjesëmarrëse”, thuhet në reagim.
Në rast se Prishtina kalon raundin e parë para kualifikues atëherë në raundin tjetër do të përballet me CS Fola Esch nga Luksemburgu.