Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e trishtë dyshohet të ketë ndodhur në qytetin e Gjilanit, ku viktima janë dy vajza të mitura.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i gjithë rasti është zbuluar pas konfliktit të vëllait të njërës prej viktimave me të dyshuarin. E gjithë zënka dyshohet të ketë ndodhur pikërisht për shkak se 19-vjeçari kishte ngacmuar dhe sulmuar seksualisht të miturën, gjë që kishte bërë që vëllai i saj të qërojë hesapet me të dyshuarin.
Në vazhdën e veprimeve hetimore është mësuar se dy vajzat e mitura të cilat kanë lidhje familjare mes vete, dyshohet se janë dhunuar seksualisht nga i dyshuari.
Me të denoncuar rastin, Policia ka ndërmarrë një varg veprimesh hetimore, duke intervistuar personat involvuar në rast, përfshirë edhe intervistimin e vajzave të mitura dhe përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale.
Po ashtu njësitë policore janë vënë në kërkim të të dyshuarit, mirëpo i njëjti ndodhet në arrati dhe nuk është gjendur në lokacionin e tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.
/GazetaSinjali/