Në janar të këtij viti, 70-vjeçaren nga Gjurgjedelli i Kaçanikut, hajnat e rrahën dhe ia vodhën 55 mijë euro. Ajo ka vite që brenda kësaj shtëpie jeton e vetme.
Disa persona të panjohur e të maskuar kishin hyrë në shtëpinë e saj, e sa ishte në gjumë e rrahën e më pas edhe e lidhën. Të gjitha kursimet e saj, në një shumë prej 55 mijë euro ia morën hajnat.
Që nga ajo ditë, Remzie Mani pret që në derë të saj të trokasin pjesëtarë të Policisë së Kosovës e ta njoftojnë se i gjetën paratë.
Mirëpo, edhe pse kanë kaluar shtatë muaj që nga ajo kohë, Remzije Mani duke u kujdesur për shëndetin e saj si pasojë e ndonjë infektimi me Covid-19, ka thënë se ende nuk ka marr ndonjë lajm për kursimet e vjedhura.
Duke parë kohën e gjatë që kur ka ndodhur ky rast, kjo thotë se po i humbet edhe shpresat.
Të vetmin ngushëllim, 70 vjeçarja e gjen tek këto dy dhi të cilat i ka në oborr.
Kjo thotë që shumicën e kohës e kalon me to, edhe pse në këto temperatura të larta më shumë po detyrohet të qëndroj brenda.
Ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë kryer të gjitha veprimet hetimore të nevojshme.
“Janë ndërmarr edhe hetimet deri më tani ku është kryer vendshiqimi i vendit të ngjarjes të njëjtën natë më 02.01.2021, janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe janë kryer të gjitha veprimet hetimore që lidhen me vendin e krimit’, kanë thënë ata për T7.
Tutje policia ka shtuar që e kanë prioritet zbardhjen e këtij rasti, andaj edhe janë duke punuar në këtë aspekt.