Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar ashpër pas një postimi të ish-nënkryetarit të kësaj komune, Bojan Stamenković, lidhur me vdekjen e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Rahimaj ka akuzuar pushtetin e kaluar se Stamenković ishte “shpërblyer” me pozitë, duke e cilësuar rastin si dështim moral dhe politik të ish-qeverisjes.
Postimi i plotë:
Të përzgjedhurit e pushtetit të kaluar nderojnë kriminelët e luftës
Skandali i fundit ku ish-nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Bojan Stamenković, lartëson dhe vajton kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mladić, nuk është një “gabim personal”. Ky është treguesi i qartë i dështimit moral dhe politik për ish Kryetarin Kastrati.
Me kujtohet shumë mirë se si gjatë momentit të pranim-dorëzimit të detyrës nga ish Kryetari Kastrati, në vend se të dorëzonte dosjet e punëve, projekteve e punëve të kryera, ish-kryetari më pati lënë “amanet” pikërisht që të vazhdoja bashkëpunimin me Bojanin dhe të mos e shkarkoja atë. Sot po shihet qartë se cili ishte ai “amanet” dhe me çfarë njerëzish ka qeverisur ai me Kamenicën.
Ata që qeverisën me Kamenicën i kanë sjellë dëme të mëdha e të njëpasnjëshme vendit tonë. Përzgjedhja e bashkëpunëtorëve të tillë tregon vizionin dhe papërgjegjshmërinë e tyre. Kur ish-kryetari i besonte postin e nënkryetarit një personi që sot nderon arkitektët e gjenocidit, ai dëshmoi se për interesa të ngushta pushteti ishte i gatshëm të rrethohej me figura që punojnë drejtpërdrejt kundër interesave të Kosovës.
Kjo që ka bërë ish nenkryetari i Komunës nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës dhe popullin e Kosovës, por është goditje edhe për vetë komunitetet lokale.
Bashkëjetesa e mirëfilltë nuk ndërtohet me njerëz që glorifikojnë kriminelët e luftës, por me figura që respektojnë ligjin dhe shtetin tonë.










