Gazetarët e kameramanët kosovarë kanë qenë cak sulmesh i një numri të konsiderueshëm të protestuesve serbë sot në Leposaviq.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi është qëlluar me gurë në kokë, ndërsa e kanë gjuajtur edhe me shok-bombë.
Sipas AGK, ky është sulmi i 28-të në drejtim të ekipeve të mediave, gjatë tensioneve të fundit në veri të vendit, ndërsa sulmi i katërt vetëm gjatë ditës së sotme në Leposaviq.
AGK ka kërkuar që urgjentisht të sillen para drejtësisë protestuesit, ndërsa u ka bërë thirrje ruajtësve të rendit dhe paqes, Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe KFOR-it, që të krijojnë kushte të favorshme për raportim, në këto kohë të ndjeshme.