Aktivitetet e Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”, kanë vazhduar edhe këtë të diele, me ecjen për “Flakën e Janarit” në nderim të të rënëve për liri, gjegjësisht në nderim të heronjve Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Kadri Zeka.
Edhe nga Gjilani, por edhe nga Kamenica, pjesëmarrësit janë bërë bashkë për të nisur ecjen në nderim të këtij manifestimi, ecje kjo fillimisht deri te Kulla e Nuhi Berishës në Sfircë, për të vazhduar më pas deri te kulla e Rexhep Malës në Hogosht, si dhe deri te kulla e Kadri Zekës në Poliçkë, që edhe e ka përmbyllur shtegun e ecjes, për t’u rikthyer pjesëmarrësit në Kamenicë gjegjësisht në Gjilan.
Ky ishte aktivitet që u realizua në partneritet mes Komunës së Kamenicës, Komunës së Gjilanit dhe Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste: SHBA “Gjilani”, me pejsëmarrje edhe të SHBA “Shkëmbi”, shoqatave bjeshkatare edhe nga komunat tjera, përfaqësues të institucioneve të dy komunave, Gjilan e Kamenicë, të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve, e pjesëmarrës të tjerë.
Përndryshe, aktivitetet e “Flakës së Janarit 2023”, do të vazhdojnë me 17 janar në Gjilan ku në program janë “Akademia e Flakës” dhe dokumentari kushtuar heroit Xhevat Qerimi si dhe “Peneli i Flakës” me dy ekspozita.