Drejtues të Kompanisë “Ecohigjena” kanë paralajmëruar sërish shtrenjtimin e faturave për bartjen e mbeturinave dhe për një gjë të tillë tashmë kanë nisur të lajmërojnë qytetarët, duke ua bërë atyre me dije se faturat e janarit do t’u vijnë më të shtrenjta.
“Ecohigjiena” ka dhënë arsyet e saja për shtrenjtim të faturave, por që qytetarët theksojnë se jeta e tyre edhe më tepër po rëndohet me këtë valë të re të shtrenjtimve.
Hiq më pak se para një viti, amvisëritë e Gjilanit kishin paguar 5 euro për bartjen e mbeturinave dhe përnjëherë atyre faturat u kishin ardhur të fryra 6,50 euro, gjë për të cilën ata nuk ishin pajtuar dhe për të kishin reaguar edhe institucionet komunale që janë bashkëpronarë të “Ecohigjiena”, andaj disi u arrit kompromisi dhe faturat nisën të paguheshin 6 euro.
Mirëpo, ende pa kaluar një vit, sërish po paralajmërohet shtrenjtimi. Një banor, i cili ka marrë një njoftim të tillë të cilin e mbante në dorë, thotë se në lagjen e tij, mbeturinat barten një herë në javë dhe për këtë paguan 6 euro në muaj, por ai thotë se ka banesë edhe në Prishtinë, ku hiq vikendet dhe festat mbeturinat barten çdo ditë dhe për këtë shërbim paguan 4, 75 euro, që është dukshëm më lirë. Ai thotë se në këtë valë të shtrenjtimeve është e pakuptueshme që të ketë ngritje çmimesh, aq më parë që është pikërisht Kompania “Ecohigjena” që para një viti ka shtrenjtuar çmimet. Ai e kupton gjendjen e vështirë të punëtorëve edhe të kësaj kompanie, por e quan të pakuptueshme që po tentohet që mirëqenia e tyre të rritet në kurriz të qytetarëve, të cilët edhe ashtu mezi që po ia dalin.
Mirëpo, në një njoftim të lëshuar nga ‘’Ecohigjena’’, thuhet se kjo rritje po bëhet për shkak të vendimit të Ministrisë së Ekonomisë për shkak të rritjes së tarifëspër deponinë, pastaj shkaku i rritjes së pagave të punëtorëve, riparimeve dhe rritjeve të kostove për materialet harxhuese. Andaj, siç ka njoftuar ai, për të përballuar këto rritje janë të detyruar që amvisritë të paguajnë 20 cent më shumë (6.20 euro), kurse kategoritë tjera prej 30 cent e deri në 1.4 euro më shumë. Ai ka thënë se tarifat e reja vlejnë nga data 1 janar dhe ato do të merren në faturat që do të jepen në muajin shkurt.